Policia shqiptare ka zhdukur përgjuesin në ngarkesën e drogës

Provat për të zbuluar bosët e kokainës kolumbiane që u bllokua në Durrës dyshohet se janë shkatërruar nga policia gjatë operacionit për sekuestrimin e drogës. Një burim i tha ‘Hashtag.al’ se, gjatë bllokimit të konteinerit në Itali janë vendosur brenda tij pajisje filmuese nga italianët, e cila kishte për qëllim filmimin e personave që do të afroheshin te droga.
Por pjesa e dytë e informacionit, gjithnjë sipas burimit që nuk dëshiron të identifikohet, është se nuk ekziston ndonjë filmim i ruajtur për çfarë ka ndodhur brenda konteinerit, për shkak të ndërhyrjes së policisë shqiptare në shkatërrimin e çdo prove të mundshme.
A ka patur kamera të montuara kamioni? A janë të ruajtura filmimet? A ekzistojnë ato si evidencë në sendet e sekuestruara? Çfarë kanë filmuar këto kamera apo u shkatërruan në ditët, kur pritej sinjalizimi i ndërhyrjes?!
Menaxheri i kompanisë ‘Arbri Garden’, në kamionin e së cilës u gjet 613 kilogramë kokainë, Donaldo Lushajm ka rrëfyer se ka patur një vonesë 2-javore në mbërritjen e konteinerit, i cili zyrtarisht po transportonte banane nga Kolumbia.

Lushaj, në dëshminë e zbardhur nga gazetarja Klodiana Lala, thotë se është sinjalizuar nga një agjent doganor në Portin e Durrësit se konteineri kishte dalë me shenjë në skaner dhe duhet të shkarkohej.
Nga ana tjetër, pronari i kompanisë, Arbër Çekaj ishte sinjalizuar nga italianët se konteineri ishte kontrolluar në Portin e Livornos në Itali, nëpërmjet një e-maili, të cilin ia kishte dërguar Doganës në Tiranë.
Dëshmia e menaxherit nxjerr në pah vonesën dy-javore, e cila u shfaq e vagullt ditën kur u bë publik operacioni. Zyrtarët e doganës dhe hetimit të krimit e pranuan që kishin informacion dhe që kishte një distancë disa ditore mes ardhjes së konteinerit në Portin e Durrësit dhe sekuestrimit të tij në magazinën e kompanisë. Ata deklaruan publikisht që nuk kishin ndërhyrë menjëherë në sekuestrimin e drogës në port, me qëllimin e futjes në ‘çark’ të kokave të këtij trafiku.

Porti i Livornos i kërkon “Arbri Garden” 4 mijë euro
Përveç hetimeve të nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për ngarkesën e sekuestruar me 613 kg kokainë, administrator i kompanisë “Abri Garden”, Arbër Çekaj, do të paguajë edhe tarifat monetare në Portin e Livornos. Autoritetet portuale në Jug të Italisë kërkojnë 4 mijë euro për kontrollin e ushtruar në konteinerët, të cilët ishin në pronësi të 38-vjeçarit.
Në e-mailin e dërguar në adresë të kompanisë me qendër në Maminas, kërkohet që të mbulohen shpenzimet e punëtorëve që shkarkuan dhe ngarkuan konteinerët me banane të ardhur nga Kolumbia. Dyshohet se në këtë mënyrë, Çekaj mund të jetë njoftuar për të ikur nga Shqipëria, dhe për t’i shpëtuar arrestimit nga policia.
Ndërkohë, organi i akuzës ka dërguar një letërporosi për autoritetet në Livorno në lidhje me konteinerin ku u gjet droga. Sipas Prokurorisë, skaneri ka treguar ndërhyrje në konteiner, çka ka ngritur dyshime për diçka të paligjshme. Në skaner kanë dalë disa mbushje silikoni në pjesën fundore të konteinerit.

Në letërporosi, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon të mësojë mbi praktikat që janë kryer me konteinerin me banane në Portin e Livornos. Kjo pasi, konteineri ishte i shoqëruar me vulat dhe dokumentacionin përkatës nga autoritetet doganore italiane, që tregonin se ai i ishte nënshtruar skanimit në portin italian. Nuk dihet nëse konteineri ishte kontrolluar më parë nga italianët, por këta të fundit kanë sinjalizuar palën shqiptare për konteinerin e dyshimtë, pa specifikuar nëse në të kishte drogë ose jo. Për rastin, është shpallur në kërkim edhe administratori i “Arbri Garden”, Arbër Çekaj. Ky i fundit ndodhet në Gjermani dhe ka deklaruar do të vijë të përgjigjet për akuzat.

Arrest me burg pronarit të bananeve
Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkon gjykatës të caktojë masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Arbër Çekajn, pronar e firmës “Arbri Garden”, që kishte porositur konteinerin me banane, ku u kapën edhe 613 kilogramë kokainë kolumbiane. Vepra penale për të cilën Gjykata pritet të shqyrtojë këtë kërkesë është ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Ndërkohë, grupi hetimor po kalon në sitë të gjithë veprimtarinë e firmës “Arbri Garden” dhe në arkivën e Policisë ekuadoriane gjendet një operacion i nëntorit të vitit 2015-të, ku janë kapur 93 kg kokainë, që kishte si destinacion Shqipërinë dhe që ishte porositur nga e njëjta firmë.
Si në rastin e fundit, edhe gati para 3 vitesh droga ishte fshehur në një konteiner me banane.

Policia shqiptare dhe Prokuroria kanë pranuar se janë vënë në dijeni nga autoritetet ekuadoriane për këtë rast dhe nisën hetimet, por pasi do të merrej në pyetje, çështja ndaj kompanisë “Arbri Garden” do të pushohej. Sipas statistikave të tregtisë globale që analizohen nga kompania “Panjiva” me seli në Nju Jork, “Arbri Garden” ka marrë në dorëzim 97 dërgesa nga vendet e Amerikës Latine.

Artikulli paraprakSuper Juventus, përmbys Totenhemin në një ndeshje dramatike dhe shkon në çerekfinale
Artikulli tjetërOverdoza, Rama shtrohet me urgjencë në Spitalin Amerikan. Ja dhe foto