Artistët vijojnë protestën kundër prishjes së teatrit

Ka kaluar një muaj që kur Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Teatrit thirri një mbledhje të hapur për të diskutuar ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës, në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” dhe Transparencën për ndërtimin e TK. Sot, ata thonë që ka një mungesë vullneti për konsultimet në ndryshimet ligjorë dhe Bashkia refuzon transparencën për projektin e TK. “Nga data 22 që kemi dërguar letrat në ministri dhe bashki, ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare për kërkesat tona. Të kërkosh transparencë nuk është histeri”, u shpreh Alert Celoaliaj. Sindikata e Artistëve deklaroi që është për rikonstruktimin, qoftë edhe kthimin në muze, dhe jo shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Madje, propozoi që çdokush mund të kontribuojë për këtë. Duke theksuar që nuk do të tolerojnë aspak ngushtimin e territorit të teatrit. “Nuk thotë që do ndërtohen kulla, nuk thotë që do ndërtojmë teatrin poshtë kullave.

Nuk thotë që territori i TK nuk duhet të preket. Po a nuk kemi të drejtë ne si qytetarë të Tiranës të kërkojmë të drejtat për këtë territor të këtij qyteti. Shumë shpejt brenda javës do të lidhim gjithë institucionin e nevojshëm për të hapur një numër llogarie për rikonstruktimin e TK Kombëtar dhe për donacione nga gjithë shqiptarët”, tha Arben Derhemi. Artistët kërkuan edhe rikthimin e qendrës e artit, statusin e artistit, si dhe ruajtjen e autonomisë. “Nuk është argument që të mbyllësh një institucion, sepse ka punuar keq drejtori. Siç nuk është produktive që nga 30 milionë lekë që ka qenë fondi i qendrës në dispozicion të projekteve private, sot të katandisemi në 10 milionë lekë. Nuk është decentralizim siç pretendon ministrja ky ligj, por është centralizim i skajshëm”, u shpreh Kastriot Cipi. Në mbështetje të artistëve ishin përfaqësues të Shoqërisë Civile, por edhe deputetët e opozitës nga PD dhe LSI.

Artikulli paraprakÇfarë është politika sot?
Artikulli tjetërShpenzimet e çmendura të Ramës, 74 miliardë lekë shpenzime në një muaj