Meta: SHISH të luftojë krimin e organizuar, ka bërë më shumë në të kaluarën

Kanë kaluar tashmë katër muaj, që kur kryeministri Edi Rama (Më 30.9.2017) menjëherë pas dorëheqjes së Visho Ajazit emëroi në krye të SHISH, Helidon Bendon. Por edhe pse u bë një kohë e gjatë që nga kjo përzgjedhje e kryeministrit, presidenti Ilir Meta ende nuk e ka firmosur këtë emërim të rëndësishëm. Sipas kushtetutës, presidenti e ka të pakufizuar kohën për tu menduar dhe kërkuar informacionin e duhur, deri sa të bindet që të hedh firmën për emrin që do të drejtojë, edhe me Kushtetutë këtë institucion të rëndësishëm dhe delikat. Pikërisht për këtë çështje natën e mbrëmshme i ftuar në emisionin e Sokol Ballës në Vizion plus, presidenti Meta, për herë të parë shpalosi edhe disa nga arsyet e këtij hezitimi të gjatë, për emrin e Helidon Bendos. Duket se më shumë se verfikimi i figurës së kreut të ri të SHISH të vendosur aty nga kryeministri Rama, presidenti ka pritur të shoh reagimin e këtij institucioni në një kohë që Shqipërisë i është vendosur nga ndërkombëtarët si prioritet kryesor, lufta ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe kapja e “peshqve të mëdhenj”.
“E rëndësishme është, që SHISH të përmbush detyrat e veta çdo ditë. Unë pres që SHISH, të vazhdojë të forcojë luftën kundër krimit të organizuar. Nuk besoj se kjo (firma e tij) ka penguar për të arritur rezultate më domethënëse, në goditjen dhe parandalimin e këtyre grupeve kriminale”, deklaroi mbrëmë Meta, duke lenë kështu qartë të nënkuptohet se gjatë këtyre muajve është i pakënaqur me reagimin e institucionit të SHISH, në këtë situatë kur po del në shesh se krimi i organizuar ka kapur majat në vendin tonë, edhe pas kapjes së fundit të 613 kilogram kokainë kolumbiane, në Maminas të Durrësit.

Për ta përforcuar këtë mendim jo të mirë për punë e SHISH gjatë kësaj periudhe, presidenti bëri edhe një krahasim, me kohën kur ky institucion drejtohej nga Visho Ajazi.
“Mbetet shumë për të bërë, nga SHISH. Ka bërë më shumë në të kaluarën në raport me institucionet e tjera. Kanë qenë padyshim më aktivë gjatë kohës së drejtimit të zotit Visho Ajazit. Këtu kam parasysh raportet me Policinë e Shtetit dhe në raport me Prokurorinë, por mbetet ende për të vlerësuar vendosmërinë për të forcuar më tej këtë institucion me ketë prioritet dhe për të garantuar pavarësinë e tij në të ardhmen”, konstatoi presidenti Meta
Nga ky qëndrim i mbrëmshëm i presidentit, duket qartë se dekreti për Bendon nuk do të firmoset tani për tani, edhe pse kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të dërgojë te Meta kandidaturë tjetër, për kryetar të SHISH. Në këtë situatë, që prej 4 muajve, Helidon Bendo zyrtarisht është vetëm nënkryetar i SHISH, por ushtron edhe kompetencat e kryetarit të dhëna nga kryeministri. Në CV-ë, që vetë Bendo ka hedhur në profilin zyrtar në faqen e institucionit të SHISH, mes të tjerave ai shkruan se, “i pëlqen të peshkojë…”. Muaji Mars sipas ambasadorit Lu dhe premtimeve që ka dhënë Rama dhe Xhafaj, pritet që të jetë ai i gjuetisë së “peshqve të mëdhenj”. Por një prej institucioneve kyçe në këtë sipërmarrje nga e cila varet edhe ardhmëria evropiane e vendit,, duhej të ishte pikërisht shërbimi inteligjent shqiptar, si kudo në botë. Një rast i mirë ishte së fundmi, edhe ngarkesa rekord prej 613 kilogramë kokainë kolumbiane, por në fakt në rrjetë nuk ra asnjë peshk i madh, përveçse 2 “cironkave” 25 vjeçare.
“Syri.net”

Artikulli paraprakSekuestrohen 5.5 kg heroinë në Itali, kush janë 4 shqiptarët e arrestuar
Artikulli tjetërBasha i përgjigjet Ramës: Çfarë bisedove me “Gunvor”, dhe pse mbështet tezën ruse të ndarjes së Kosovës?