Shërbimi i Pastrimit të dy zonave të kryeqytetit, Tirana 1 dhe Tirana 3, për tre vitet e ardhshme do t’i kushtojë buxhetit të Bashkisë mbi 980 milionë lekë, ose rreth 7.4 milionë euro.
Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur ditën e hënë ofertën fituese për zonën Tirana 3, e cila përfshin rrugët e pjesës Jug-Perëndimore të kryeqytetit, si dhe Njësitë Administrative Vaqarr, Pezë, Ndroq, Baldushk dhe një pjesë të NJA Farkë.
Propozimi i operatori ekonomik “Alko Impex General Constructions”, degë e shoqërisë së huaj, është njohur si oferta fituese pas skualifikimit të 8 operatorëve të tjerë, për një vlerë totale prej 473.7 milionë lekësh pa TVSH. Fondi do të shpërndahet nga buxheti i Bashkisë në mënyrë të barabartë për tre vitet e kontratës.
Shpallja e fituesit për shërbimin e pastrimit të zonës Tirana 3, ndjek atë të datës 28 shkurt për zonën Tirana 1, ku bashkimi i operatorëve “Ante-Group” shpk &”Gjikuria” shpk, u kualifikuan si oferta fituese për një vlerë prej 506 milionë lekësh.
Zona Tirana 1 përfshin pjesën Verilindore të kryeqytetit dhe përfshin segmente të rëndësishme si rruga e Dibrës, rruga Xhanfize Keko, rr. Kongresi i Manastirit, Siri Kodra, por edhe njësitë administrative Dajt, Zall Herr, Zall Dajt dhe Shëngjergj.
Në të dy rastet, operatorët do të vendosin kazanët e tyre dhe do të kenë një fluks ditor të grumbullimit prej 745-796 konteinerësh në ditë dhe rreth 150 konteinerë me frekuencë 2-3 herë në javë.
Po ashtu, kontrata e pastrimit përfshin fshirjen e rrugëve dhe trotuarëve me punëtorë që do të punësohen nga firmat fituese.