400 milionë euro koncesione në shëndetësi, por Rama i drejtohet spitalit privat për mjekim

Rama nuk ka besim tek sistemi shëndetësor që ai dhe qeveria që drejton kanë ngritur në këto katër vite. Kjo konfirmohet fare thjesht nga vizita e fundit e tij në një spital privat në orët e vona të disa ditëve më parë, teksa kishte nevojë urgjente për ndërhyrje mjekësore për shkak të overdozës.
Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar rreth 400 milionë euro pagesa për katër koncesione për 10 vitet në vijim. Por nëse kjo shumë do të investohej në shërbimet e sektorit publik, padyshim që Shqipëria do të kishte shërbimet mjekësore më të mira në rajon dhe njësoj si në vendet e zhvilluara.
Po kushtet e mjerueshme ku gjendet shëndetësia sot, e detyrojnë edhe Ramën që t’u rrijë larg spitaleve shtetërore paçka se të gjithë sistemin aktualisht e ka dhënë prej katër vitesh me koncesion.
Financimet në shëndetësi cilësohen si “thembra e Akilit” sa i përket përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së cilësisë së tyre. Por më e rëndësishme se vetë financimi është menaxhimi i parave që vihen në shërbim të këtij sektori. Tenderat dhe koncesionet janë format më të përdorura për ofrimin e shërbimeve shëndetësore vitet e fundit.

Vetëm nga Ministria e Shëndetësisë janë dhënë mbi 400 milionë euro koncesione, ku më shumë se 230 milionë prej tyre i ka marrë një kliente e qeverisë, që quhet Vilma Nushi. Sot gjendja në spitalet tona është e mjerueshme dhe politikat e Ramës s’kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë thelluar hendekun e atyre që s’mund të paguajnë. Kjo është pjesa më e dukshme, sepse Vilma Nushi ka ndërhyrë në thuajse çdo tender të zhvilluar në shëndetësi. Shumica e medikamenteve dhe pajisjeve që furnizojnë spitalet tona duhet patjetër të kalojnë nëpërmjet duarve të saj. Kemi të bëjmë me një vjedhje dhe abuzim të shfrenuar që përqendrohet vetëm në duart e një njeriu. Shifra që përmendet, pra ajo e 230 milionë eurove me dy koncesione do të ishte e mjaftueshme për të ngritur të paktën 10 spitale të rinj për çdo qark të vendit, me përmasat e një hoteli luksoz, ku të afroheshin jo check-up falas, por të gjithë shërbimet që i duhen pacientëve me kushtet bashkëkohore.
Katër koncesione të mëdha, ai i check up-it i fituar nga Vilma Nushi me 120 millionë euro, koncesioni i laboratorëve prej 100 milionë eurosh, koncesioni i sterilizimit prej 100 milionë euro dhe koncesioni i hemodializës 86 milionë euro përbëjnë plot 400 milionë euro, të cilat Rama ua merr shqiptarëve në formë taksash.
Shqiptarët nuk paguajnë për këto shërbime me para në dorë. Por 400 milionë eurot që shkojnë ne xhepat e privatëve paguhen po prej tyre, në formë taksash nga më të ndryshmet.
Këto 400 milionë euro u jepen privatëve për shërbime që deri tani janë ofruar nga spitalet e qendrat shëndetësore.

Jo vetëm degradim por edhe largim masiv mjekësh
Për shkak të politikave të shtrembra dhe korruptive të Ramës sot jo vetëm që kemi një sistem shëndetësor të degraduar, por nga ana tjetër gjithë personeli, mjekë e infermierë prej katër vitesh i ka hapur rrugën një eksodi masiv të largimit të tyre nga Shqipëria. Numri i mjekëve që kanë kërkuar të largohen jashtë vendit 4 vitet e fundit është 3-fishuar. Pas publikimit të këtij lajmi nga redaksia e “Pro Pacientit”, pati një reagim shumë të madh nga ana e mjekëve. Largimi i mjekëve nga Shqipëria në katër vitet e fundit ka tronditur gjithë sistemin shëndetësor, ndërsa është shndërruar në një eksod të vërtetë që vijon edhe sot. Shifrat zyrtare flasin për një trefishim të numrit të mjekëve të larguar, ndërsa kërkesa e tyre për të lënë vendin është në rritje. Nga viti 2014 dhe deri vitin e kaluar me qindra mjekë kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes profesionale me qëllim paraqitjen e saj për të aplikuar për punë jashtë Shqipërisë. Çertifikata e sjelljes së mirë profesionale (Good Standing Cerificate) lëshohet nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Mjekëve të vendit të vet, ku vërtetohet se mjeku është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se gjatë ushtrimit të profesionit nuk ka asnjë masë disiplinore kundrejt tij/saj. Kjo çertifikatë është një dokument që kërkohet nga të gjithë mjekët që aplikojnë për specializime afatgjata ose afatshkurtra jashtë vendit, kërkohet për të konvertuar diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës në një vend të huaj, kërkohet për të punuar jashtë vendit.

Artikulli paraprakDrejtori i spitalit kërkon të korruptojë pacientin
Artikulli tjetërMinistrat e Brendshëm të BE të alarmuar për krimin në Ballkan