Basha në Shkodër: Rama sjellje kriminale me fatin e banorëve!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte dje në Obot për të parë nga afër situatën e përmbytjeve. Basha shoqërohej edhe nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Gjatë takimit me banorët, Basha u shpreh se, kemi të bëjmë me një gjendje të emergjencës civile si rezultat i shkarkimeve të kaskadës së Drinit.
“Me cinizëm dhe përgjegjësi kriminale për këtë situatë, qeveria dhe ministri Gjiknuri e kryeministri Rama e kanë refuzuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile. Vetë prania e forcave të armatosura dhe detyra që ato kanë për të evakuar banorët, për t’u çuar ilaçe, ushqime e ujë tregon se, zona është në emergjencë civile. Vetë Zoti dhe natyra përgënjeshtrojnë ato që ka thënë Gjiknuri se këto përmbytje janë rezultat i reshjeve. Këto përmbytje vijnë nga shkarkimet e kaskadës së Drinit. Për këtë arsye ka një përgjegjësi financiare për dëmshpërblimin e familjeve. Mos shpallja e emergjencës civile, pamundëson, lidh duart pushtetit vendor dhe përbën alibi për qeverinë të mos ndërhyjë me të gjitha forcat e mënyrat. Në kushtet e emergjencës civile çdo pengesë apo ngadalësim i diktuar nga procedurat ligjore bie dhe shteti dhe pushteti vendor kanë mundësi të veprojnë shumë më shpejt për t’u gjetur pranë banorëve”, u shpreh Basha.

Basha e quajti të drejtë kërkesën e Bashkisë së Shkodrës dhe të deputetëve të PD-së të shpallet gjendja e emergjencës civile. “Dua t’i them Edi Ramës se jo për herë të parë po tregon cinizëm e pashpirtësi dhe po sillet në mënyrë kriminale me fatin e banorëve. Është e pafalshme dhe kriminale politikisht dhe ligjërisht t’i mohosh banorëve ndihmën që mundëson shpallja e emergjencës civile”, tha Basha.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi tha se, Bashkia ka qenë pranë banorëve duke u shpëndarë ndihma ushqimore. “Njësia Administrative Ana e Malit është zona më e prekur. Zona e Obotit, Oblika, Muriqani, dhe Dajçi, Bërdica dhe Jubani, ku janë shtuar hektarët e tokës që ka marrë lumi. Sidomos këto dy ditët e fundit, sidomos në Njësinë Administrative Ana e Malit është problematike. Nuk kalojnë më dot mjetet e ushtrisë. Lëvizja bëhet vetëm me varka. Jemi munduar dje t’u jemi afër banorëve, duke u shpëndarë ndihma ushqimore”, tha Ademi.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke hasur në rezistencën e prefektit të Qarkut, por edhe kreun e Emergjencave Civile, sipas të cilave kjo situatë kërkon vetëm ndërhyrjen e Bashkisë.
“Është mashtrimi më i madh që i bëhet këtij populli. Nuk mund ta besoj një ministër që i thotë banorëve, shiu ka rënë nga qielli. Përmbytjet e tokave bujqësore kanë ardhur nga shkarkimet e lumit Drin. Duhet të shtonim situatën e Emergjencës Civile”, u shpreh kryebashkiakja Voltana Ademi.
Për kryebashkiaken Ademi përmbytjet nuk kanë ardhur për shkak të motit, por nga keqmenaxhimi në kaskadën e Lumit Drin dhe shkarkimet e pakontrolluara prej një kohe të gjatë.
Pas ndalesës tek rruga e Obotit, Basha vizitoi edhe hyrjen për në fshatin Muriqan, ku edhe atje situata paraqitet problematike si pasojë e ujit që ka mbuluar 2250 hektarë tokë.

Artikulli paraprakDashuri në kohë kolere
Artikulli tjetërAksidentet, ja rruga me numrin më të lartë të viktimave