Edhe në Torovicë të Lezhës, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha. E gjitha toka bujqësore është e mbuluar nga uji. Kulturat e sezonit janë dëmtuar, por fermerët nuk mund të bëjnë as mbjelljet e pranverës.
Shirat pushuan, por kjo fushë është nën ujë. Kjo po u kushton shumë fermerëve të Torovicës. Ata thonë se tashmë kanë humbur edhe të mbjellat e dimrit, por nuk kanë garanci as për të mbjellat e pranverës.
“Unë kam rreth 100 dynymë tokë të mbjellë me grurë, por po ndejti uji edhe dy ditë aty, atëherë mbaron krejt”.”Gruri ka mbaruar. S’merr kërrkush grurë sivjet”. “Kam dashur të mbjell jonxhë, por s’kam ku e mbjell. Grurin e ka mbuluar uji”, u shpreh një banor.
“Ajo që është më e dhimbshme këtu janë përmbytjet.
Ne riciklohemi dy-tre herë në vit, mos të them katër-pesë herë në vit që përmbytemi. Mos të themi që rrezikojmë bukën, që është më elementarja”, tha një tjetër.
Drejtori i Bujqësisë në Lezhë, Ndoc Lleshi, konfirmon riskun e lartë që kanë fermerët dhe kërkon zgjidhje. Situata i referohet kapacitetit të ulët të hidrovorit që bën evadimin e ujërave. Dhe këtë e thotë specialisti i Bordit të Kullimit Lezhë, Ilmi Dushku. “Të gjitha këto prurje do të kalojnë përmes këtij hidrovori. Të hartojmë një projekt dhe një preventiv për një hidrovor shtesë që të thithë në kuota më të ulëta rreth dy metra që ta përballojmë dhe ta bëjmë këtë këtu produktive siç ka qenë gjithmonë”, tha ai.
Pavarësisht rëndësisë që ka kjo zonë bujqësore në Njësinë Administrative Balldren në Lezhë, duke mbajtur me punë rreth 1 mijë familje, përmbytjet vazhdojnë të sjellin humbje të shumta për femerët dhe ulje të interesit për të zhvilluar sektorin e bujqësisë.