Nga Ledina Loga
Situata për biznesin e vogël nuk duket aspak optimiste. Vetëm në muajin shkurt 2018, numri i subjekteve që kaluan në statusin pasiv e tejkaloi 1000, duke u katërfishuar në raport me katër vite më parë. Të gjendur pa rrugëdalje, bizneset e vogla po tentojnë që të shpëtojnë duke bërë çregjistrime fiktive, por mesa duket fenomeni është pikasur nga Tatime.
“Monitor” kreu një sondazh me bizneset, që kaluan në status pasiv në shkurt. 67% e subjekteve dhanë si arsye krizën, uljen e fuqisë blerëse dhe konkurrencën. Në shumë pak kohë, përqindja e individëve që raportojnë se kanë emigruar pas mbylljes së biznesit është rritur. Ndërkohë, është shtuar edhe përqindja e bizneseve që janë mbyllur prej sëmundjeve…
Enea Shehu punon prej disa kohësh si ekspert kontabël i miratuar. Ai ka klientë kryesisht biznese të vogla, një prej të cilëve është edhe bar-kafeja e Jorgji Poçit, i cili ka kaluar automatikisht në listën e subjekteve pasive, të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sipas zotit Shehu, Jorgji është larguar pa e njoftuar në Barcelonë, ndërkohë janë gjeneruar edhe kamatëvonesat për mospagimin në kohë të detyrimeve.
Eksperti tregon se nga diskutimet me bizneset, ata shprehen të pakënaqur me përfshirjen e tyre në skemën e TVSH-së dhe nuk e dinë nëse do ta vazhdojnë si aktivitet pas përfshirjes.
Enea përllogarit se një biznesi të vogël do t’i duhet të paguajë nga 30-40 mijë lekë çdo muaj pas përfshirjes në skemë. Pjesa më e madhe e bizneseve të vogla që ai ka në portofol ushtrojnë veprimtarinë e tyre si bar-kafe, restorante apo dhe tregti me pakicë.
Për më tepër, Shehu shton se ai do të shtojë tarifat për shërbimet e kontabilitetit, në varësi të subjektit ai parashikon një rritje nga 5 mijë lekë deri në 15,000 lekë, në varësi të subjektit. Një pjesë e subjekteve, sipas zotit Shehu, po tentojnë që të kalojnë në status pasiv, apo të çregjistrohen për të çelur një NIPT të ri, ku xhiro fillon nga zero. Ai tha se është përpjekur që të këshillojë bizneset që të mos e bëjnë, pasi nuk është kaq e lehtë dhe do të diktohen shpejt prej Tatimeve.
Sipas tij, gjendja aktuale për bizneset e vogla paraqitet e vështirë, pjesa më e madhe e tyre nuk janë konkurruese në treg, shpenzimet operative, si qiraja, të paktën për kryeqytetin, janë të larta, fuqia blerëse më e ulët, ndërsa konkurrenca është shtuar.
Kështu argumenton edhe Jonida Hanaj, e cila në muajin shkurt bëri kërkesë për pezullimin aktiviteti. “Edhe pse e kam nisur aktivitetin që në vitin 2003, fillimisht me tregtimin e perdeve, më vonë me tregtinë e rrobave me pakicë, më 22 shkurt 2018, pas 15 vitesh, mbylla biznesin”, u shpreh ajo me keqardhje duke qenë se i kishte kushtuar shumë kohë menaxhimit të tij. Kur u pyet për arsyet se pse e kishte mbyllur si aktivitet, ajo tha: falimentova si biznes, nuk po mbyllja dot as shpenzimet, kisha vështirësi për të paguar taksat, ndërsa xhiroja ra në mënyrë drastike.
Kurse Parashqevia nga Durrësi bëri kërkesën për pezullim dy ditë përpara Jonidës. Ajo tregon se puna arriti në atë pikë që kalonin ditë me radhë pa bërë xhiro ditore, madje tregon se nuk kanë qenë të pakta rastet kur e ka shtypur kasën edhe kot. “Na ra puna shumë jashtë mase. Donim ta mbyllnin prej kohësh, por tani që do të na vendosin edhe TVSH-në, ne vendosëm që ta mbyllim biznesin. Mirë nuk na erdhi, e ndiejmë shumë peshën e falimentimit të biznesit, duke qenë se punuam mbi 10 vjet”, – tregon ajo kur u pyet nga “Monitor” mbi arsyet e pezullimit të aktivitetit.
Këto subjekte u kontaktuan me telefon si pjesë e sondazhit të katërt të “Monitor”, zhvilluar me listën e subjekteve pasive dhe të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në qendër të sondazhit ishin vetëm bizneset që kishin kaluar në status pasiv në muajin shkurt.
Sipas të dhënave të analizuara nga “Monitor”, gjatë shkurtit 1,088 biznese kaluan në statusin pasiv. Prej të gjithë bizneseve që kishin kaluar në statusin pasiv, me përzgjedhje të rastësishme u telefonuan 10% e tyre, sipas peshave specifike që kishin bizneset pasive sipas Drejtorive Rajonale Tatimore. Bizneset pasive u pyetën në lidhje me: arsyet pse kishin bërë kërkesë për pezullimin e aktivitetit; prej sa kohësh operonin; dhe a ishin të punësuar diku tjetër pas mbylljes së aktivitetit.
Prej të dhënave të analizuara prej sondazhit, 67% e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht.
Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore.
(Rreth 27% e atyre që dhanë një arsye tjetër përveç krizës, që përbënte 9% të totalit të subjekteve të anketuara, thanë se ishin problemet shëndetësore që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin).
Nga të dhënat e analizuara, vetëm për muajin shkurt, nga 2015 deri në 2018-n, numri i bizneseve të mbyllura është katërfishuar në katër vitet e fundit. Sipas shifrave të nxjerra nga lista e subjekteve të Tatimeve, në shkurt të vitit 2015, vetëm 287 biznese kishin kaluar në status pasiv.
Në shkurt të 2016-s, numri i tyre thuajse u dyfishua, ku sipas të dhënave të Tatimeve ishin 541 biznese të kaluara në listën e pasiveve. Në shkurtin e një viti më parë, subjektet ishin 738, ndërsa këtë shkurt bizneset që kaluan në pasiv ishin 1,088. Në rritjen e numrit në shkurt ka ndikuar dhe tendenca e subjekteve për t’u çregjistruar dhe regjistruar sërish me emër tjetër, në mënyrë që t’i shmangen TVSH-së që hyn në fuqi nga 1 prilli. /Monitor/