Një operacion i madh kundër trafikut të drogës është zhvilluar dje në Bari nga antimafia dhe Guardia di Finanza. Bëhet e ditur se, gjatë operacionit “Iliria” janë sekuestruar 1.218 kg marijuanë e futur nga Shqipëria, 20 kg përzierës droge, 4.5 kg tritol, 1,143 kg heroinë e kokainë, një armë AK-47 “Kallashnikov”, 170 plumba dhe 47 kapsula detonatore.
Ngarkesa e bllokuar në Portin e Barit ka kaluar pa më të voglin problem nga Porti i Durrësit, i cili kontrollohet tërësisht nga klani kriminal i Tahirit dhe Ramës në polici. Ndonëse në port dhe në të gjitha pikat kufitare ka forca të shumta të policisë, droga dhe armët kalojnë pa asnjë problem drejt Italisë. Prej kohësh, Italia ka dhënë alarmin për trafikun e drogës që kalon nga Shqipëria, ndërsa kohët e fundit krahas drogës po dërgohen drejt Italisë edhe armë. Alarmi është dhënë edhe nga mediat italiane, por ky trafik nuk ndalet.
Vetëm, pasi ka mbërritur në Bari ngarkesa me drogë dhe armë është zbuluar nga Policia italiane, e cila ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit arrestimin e 8 personave, 3 shqiptarë e 5 italianë. Ata akuzohen për trafik droge, armësh e municione nga Shqipëria drejt Italisë përmes detit.
Hetimet e operacionit “Iliria” të policisë italiane kanë nisur në vitin 2013 pas arrestimit të 2 shtetasve shqiptarë e sekuestrimin e rreth 100 kg marijuanë në provincën e Altamurës. Falë hetimeve të policisë financiare të Barit u zbulua kjo celulë trafikantësh droge e armësh e përbërë nga shtetas italianë e shqiptarë me bazë në qytetin e Barletas. Italianët e arrestuar janë të gjithë me origjinë nga rajoni i Pulias.
Në këtë operacion, Policia italiane ka arrestuar shqiptarin Roland Lame, rezident në qytetin e Barletës e që ndërkohë ka fituar dhe të drejtën e nënshtetësisë italiane. Nën arrest ka përfunduar dhe djali i tij, i cili mbante lidhjet me trafikantët e marijuanës në Shqipëri e që administronte importimin e sasive të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Investigimet e këtij operacioni çuan në qershor të vitit 2014, sekuestrimin e rreth 1 ton marijuanë në bordin e një skafi që udhëtonte nga Shqipëria drejt brigjeve të Pulias si dhe arrestimin e një shtetasi shqiptar e një shtetasi italian.
Hetimet e antimafias
Pas operacionit masiv të zhvilluar në Itali, ku u sekuestruan 1.2 ton drogë, armë dhe tritol të futur nga Porti i Durrësit dhe ku u arrestuan 8 persona, policia italiane ka zbardhur edhe identitetet e krerëve të organizatës. Dy nga shqiptarët janë babë e bir të identifikuar nga policia italiane si personat me rol kyç në trafikun e drogës dhe armëve, që policia italiane finalizoi gjatë operacionit të fundit “Iliria”.
Mediat italiane flasin për një shqiptar me shtetësi italiane, Roland Lame, 47 vjeç dhe djali i tij Fabio Lame 25 vjeç, që mbanin lidhjet në Shqipëri me trafikantët për t’u furnizuar me hashash. Në këtë hetim, në qershor të vitit 2014 policia italiane kapi një ton hashash dhe arrestoi dy skafistët një shqiptar e një italian. Për policinë italiane kapja e një arme, fishekëve dhe tritolit, ka rritur vëmendjen për rrezikshmërinë e grupit që po merrej edhe me trafikun e drogave të forta.
Ndërkohë, sipas hetimit, grupi përdorte në komunikim shenja të ndryshme dhe jo fjalë për të mos u kapur nga autoritetet. Megjithatë, gjuha e koduar nuk e ka penguar policinë italiane që të shkatërrojë këtë rrjet trafiku dhe të arrestojë 5 italianë dhe tre shqiptarë.
Komandanti i karabinierëve, Giuseppe La Gala, në një intervistë për televizionin “TGR”, thotë se grupi kriminal kishte dërguar në Shqipëri 1 milionë euro të kamufluara mes valixheve me rroba, duke i transportuar me kamionë dhe autobusë.
Organizata, e cila trafikonte heroinë dhe kokainë nga Shqiperia, përdorte kode të qarta për t’u moszbuluar. Secili prej personave që ishte i përfshirë në këtë grup bënte një jetë modeste për të mos rënë në sy. La Gala, tregon se ata e kishin të ndaluar të frekuentonin lokalet e natës. Shmangnin çdo gjë të tepruar. Përdornin makina modeste dhe ishin të rregullt me pagesën e faturave. E kishin të ndaluar të shoqëroheshin me njëri-tjetrin në ambiente publike, për të shmangur çdo dyshim për bashkëpunim apo njohje mes tyre. Komandanti italian thotë, se ata ishin të detyruar të sillnin në Itali familjarët e tyre, gruan dhe fëmijët, për të treguar prezencën e një familje normale.
Trafiku i madh i drogës dhe armëve nga Shqipëria drejt Italisë u zbulua vetëm dy ditë pas dhënies së alarmit nga mediat italiane. “La Repubblica”, në një shkrim në numrin e të shtunës raportonte se linja e trafikut ajror të drogës nga Shqipëria po shqetëson Italinë, duke theksuar se trafikantët kanë pikat e tyre të zbritjes në Bari dhe Brindisi. Në shkrim theksohej se krahasa drogës në Itali po futen nga Shqipëria edhe armë.
Edvin Shullazi e shndërron Shqipërinë në Kolumbi të Europës
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për sekuestrimin nga Antimafia italiane në Bari të 1.2 ton droge, armëve dhe tritolit të nisur nga Porti i Durrësit. “Shqipëria e Edvin Shullazit, Trafikistan apo Kolumbia e Europës!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Të dashur miq, nga bregu tjetër i Adriatikut nga gazetet dhe rrjetet kryesore televizive vijnë lajme të përditshme klamoroze për Shqipërinë, lajme që bëjnë fjalë jo për kilogramë, por tonelata droge, për trafik armësh në sasira të frikshme dhe trafiqe skllevërish të seksit. Mjeteve detare të trafiqeve tani ju është shtuar një flotilje e tërë kaçatorrësh, prodhimi i të cilëve është dyfishuar muajt e fundit”, shkruan Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha shkruan më tej se, kjo gjendje trafiqesh kriminale intensive nga Shqipëria në Itali nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë më parë. “Ky megatrafik i patronuar nga shteti, ka shndërruar Shqipërinë në një Trafikistan apo Kolumbi të Europës, që së bashku me largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria, përbën dhe suksesin më spektakolar të qeverisë së Edvin Shullazit si organizatë e vërtetë kriminale! Sb”, përfundon Berisha.
Vetëm ditën e djeshme u sekuestruan në Bari nga Antimafia italiane dhe Guarda di Finanza 1.2 ton drogë, 20 kg përzierës droge, 4.5 kg tritol, 1,143 kg heroinë e kokainë, një armë AK-47 “Kallashnikov”, 170 plumba dhe 47 kapsula detonatorë të futur nga Porti i Durrësit.
Europa në alarm për drogën dhe armët nga Shqipëria nga bandat e Tahirit e Ramës
“Trafikut të drogës që bëjnë bandat e Tahirit dhe Edi Ramës, i janë shtuar tashmë dhe armët.
Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama nervozohet, kur e pyet gazetarja e Euronews për trafikun e armëve”. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlamanet, Flamur Noka u shpreh gjatë një konference për shtyp, se Edi Rama krekoset dhe shet mend në asamblenë e NATO-s që mbahet në Tiranë, po droga dhe armët qarkullojnë sheshit.
“Sot në Bari, janë kapur sasi të mëdha me drogë e me armë, dhe me eksplozivë që kishin kaluar nga Shqipëria, që kishin kaluar pikat e kontrollit kufitar pa asnjë problem. Pak muaj më parë, Prokurori i Antimafias italiane, Kataldo Mota dha alarmin se tashmë përveç kanabisit dhe drogave të forta, nga Shqipëria po vijnë dhe armë. Një fakt për të cilin, Europa është e shqetësuar.
Bandat dhe trafikantët e Tahirit dhe Ramës, derisa kanë mbuluar vendin me drogë, derisa kanë këtë licencë për veprimtari kriminale, pse mos t’i shtojnë edhe trafikun e armëve? Ata rrisin fitimet”, u shpreh Noka.
Noka u shpreh më tej se, ka ky trafik është rritur edhe 30 përqindëshi i Tahirit dhe Ramës. “Rritet dhe pjesa e Tahirit dhe e Ramës, rritet 30 përqindëshi i tyre. Ndërsa vendi po zhytet çdo ditë në pasiguri, në një republikë të dështuar të sunduar nga krimi, Rama dërdëllet e jep leksione për sigurinë në asamblenë e NATO-s. Shihni çfarë imazhi kemi sot. Shqipëria në vendin e parë në raportin e Bashkimit Europian për prodhimin dhe trafikimin e drogës”, tha ai.
Noka tha se i kishte nisur një letër Ramës para 40 ditësh për monitorimin nga ajri të territorit, pasi të dhënat flasin për pesëfishim të parcelave të mbjella me kanabis. “40 ditë më parë, në cilësinë e Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i kam kërkuar zyrtarisht Edi Ramës të nisë monitorimin nga ajri të territorit, pasi të dhënat flasin për pesëfishim të parcelave të mbjella me kanabis. Dhe i kam kërkuar të bëjë publike të dhënat e monitorimit.
Ai nuk përgjigjet. Situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi tashmë pjesë e trafikut të paligjshëm, të biznesit kriminal të drogës janë bërë dhe armët. Gjendja është e rëndë. Zgjidhja është në dorën e shqiptarëve dhe zgjidhja është pastrimi i vendit nga droga, nga armët, nga trafikantët dhe nga rrënjët e tyre në qeveri, në zyrën e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës”, përfundoi Noka.
R.POLISI