Presidenti amerikan Donald Trump tha se tarifat që ai shpalli ditët e fundit do të ringjallin industrinë amerikane të çelikut. Ai i bëri komentet të shtunën në një zonë rurale të Pensilvanisë, ku industria e çelikut punëson një numër të konsiderueshëm njerëzish. Presidenti Trump mori pjesë në një tubim fushate në mbështetje të kandidatit republikan për në Kongres, Rick Saccone, i cili është në një garë të ngushtë me rivalin e tij demokrat në Pensilvani. Presidenti Trump u tha mbështetësve në Moon Township se tarifat do të shpëtojnë industrinë e çelikut dhe do të ndihmojnë rritjen e ekonomisë së Pensilvanisë:
“Industria juaj e prodhimit të qymyrit dhe ajo e çelikut po ringjallen. Qendrat e prodhimit të çelikut dhe të qymyrit do të hapen, pasi vendosja e tarifave në masë 25 për qind do të godasë kompanitë që eksportojnë çelikun e tyre në vendin tonë me një kosto tepër të ulët. Çeliku i tyre nuk është i cilësisë së mirë. Industria juaj e çeliku po rikthehet”. Presidenti Trump kritikoi Bashkimin Evropian dhe të tjerët për qëndrimin tregtar ndaj Shteteve të Bashkuara dhe u zotua se do t’i kundërpërgjigjet masave të tyre hakmarrëse: “Bashkimi Evropian po na dëmton shumë në tregti. Ne vendosëm tarifat dhe Bashkimi Evropian është shprehur se mund të kundërpërgjigjet. Unë u thashë: ‘Ju mund të shkoni më lart se tani gjithsesi’. Ata kanë vendosur barriera tregtare. Ne nuk mund t’i shesim prodhimet tona bujqësore atje. Ata po na kufizojnë plotësisht dhe po kërkojnë heqjen e tarifave. Unë u thashë: ‘Mirë. Hiqni barrierat dhe tarifat tuaja, në të kundërtën ne do të vendosim tarifa ndaj ‘Mercedes Benzit’ dhe ‘BMW’”. Kritikët thonë se tarifat mund të nxisin masa tregtare hakmarrëse dhe mund të dëmtojnë ekonominë amerikane. Ka dyshime madje edhe mbi efektin që politikat e Presidentit Trump do të kenë në ringjalljen e industrisë së çelikut amerikan, që tani është në gjendje të rëndë.