Një sasi prej 15 kg kokainë është sekuestruar nga policia italiane, ndërsa një çift shqiptarësh janë vënë në pranga, raportojnë mediat lokale. Të arrestuarit raportohet se janë 32 dhe 25 vjeç, por identiteti i tyre nuk bëhet e ditur. Makina me të cilën udhëtonin u ndalua për kontroll rutinë në dalje të autostradës në “Scandicci” (Firence).
Të dy dhanë dëshmi kontradiktore lidhur me destinacionin dhe shfaqën shenja nervozizmi, kështu u shoqëruan në polici. Gjatë kontrollit të makinës me të cilën lëviznin para se të ndaloheshin nga policia, u gjetën 15 kg kokainë. Droga ishte e fshehur në një hapësirë të krijuar rishtazi në motorin e mjetit. Të dy u dërguan në paraburgim në Sollicciano. Dyshimet janë se çifti bënte rolin e korrierëve të drogës.
Një operacion i madh antidrogë nga policia italiane në Treviglio e Romano në Lombardi zhvilluar para dy ditësh ka çuar në konfiskimin e 12 kg kokainë dhe të mbi 114 mijë eurove, tre personave të arrestuar dhe dy të denoncuar.
Të premten në mbrëmje, më 9 mars, karabinierët kanë filluar një aksion të madh në zonën ku u arrestuan tre persona, të gjithë shqiptarë të moshës 24 deri 40 vjeç. Ky ishte një nga konfiskimet më të mëdha të kokainës vitet e fundit në territorin e Bergamasca dhe në veçanti të kokainës. Zbulimi ishte i habitshëm për shkak të shkallës së lartë të pastërtisë të kokainës, e cila në tregun me pakicë do të kishte sjellë qindra mijë euro fitime.
Policia e rajonit të Romano në Lombardia kanë ndaluar dy makina, pasi kanë vënë re një sjellje të dyshimtë në afërsi të parkingut të një supermarketi. Në rrugën “Dosso Pagano”, hetuesit kanë vendosur të ndërhyjnë, duke e ndaluar dhe arrestuar në flagrancë tre të rinjtë shqiptarë, që të tre me dosje penale. Pas një kontrolli të shpejtë, karabinierët kanë gjetur kartmonedhat e fshehura në automjet, 114 mijë euro ndërsa në makinën e dytë, 10 pako kokainë me peshë 12 kg.