Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 ditën e sotme foli për akuzat e qeverisë ndaj PD për financimet ruse, pas artikullit të publikuar në revistën “Mother Jones”. Noka tha se e gjithë kjo tymnajë bëhet për të mbuluar skandalet e qeverisë së tij. “Mother Jones është një gazetë mbrapa së cilës fshihet babai shpirtëror i Edi Ramës, George Soros”, u shpreh deputeti demokrat, shkruan BalkanWeb. “Edi Rama është mjeshtër i tymnajave për të mbuluar skandalet e qeverisë së tij. Le të vijojnë hetimet. S’ka asgjë për të fshehur nga Partia Demokratike. Mother Jones është një gazetë mbrapa së cilës fshihet babai shpirtërtor i Edi Ramës, George Soros. Që këtu kuptohet. Father Soros nëpërmjet Mother Jones i vjen në ndihmë Edi Ramës që paguan për këtë gjë. Po pse ndodh kjo e pikërisht tani? Se skandalet ku është zhytur Rama janë të tilla sa në një vend normal do rrëzonim 10 qeveri.
A ka fakt më të madh se të kapen 613 kg kokainë? E vërteta doli që Shqipëria është bërë Kolumbi e Europës, avionët iknin e vinin me drogë. Fjalët tona i citon Departamenti amerikan i Shtetit. Është vendi i parë në botë për konsumimin e kokainës, pse nuk ishte kur drejtoja unë dhe qeveria Berisha. Peshku i madh është në familjen kryeministrore, duhej dështuar transporti se do dilte familja Rama”, tha Noka. “Për zhvillimet e fundit politike, skandalet e radhës së kësaj qeverie. Me skandale të tilla një qeveri normale duhej të dorëzohej, nuk e kemi thënë kot ne. Ka vetëm një zgjidhje këtë vend, revolucion për ta përjashtuar këtë qeveri. Me revolucion popullor. Opozita ka një synim, rrëzimin e klikës që është në pushtet dhe prandaj jemi bashkë dhe me LSI”, u shpreh Noka.