Presidenti francez Fransua Hollande i ka dorëzuar personalisht shkrimtarit shqiptar dekoratën Komandant i Legjionit të Nderit, më e larta e Republikës franceze, e cila jepet për merita të veçanta në fusha të ndryshme.
Gjatë ceremonisë së veçantë në pallatin Elyse, Presidenti francez Hollande e konsideroi Kadarenë një autor të mrekullueshëm të historisë së Ballkanit: “Ju jeni një avokat pasionant i kulturës së Europës dhe siç i thashë edhe Kryeministrit Rama fatmirësisht ka europianë që nuk i përkasin Europës dhe që e duan Europën. Ju jeni njëherazi shqiptar dhe francez, evropian në zemër dhe universal në shpirt”.
Të pranishëm ishin edhe personalitete të larta franceze, anëtarë të kabinetit qeveritar, të asamblesë dhe senatit, ish-presidentë të Francës, apo dhe personalitete të fushës së artit dhe kulturës. Ceremonia ka qenë një eveniment i rrallë, për shkak se Presidenti francez ka zgjedhur t’ja dorëzojë vetë dekoratën shkrimtarit shqiptar, dhe ajo që e bën edhe më të rëndësishme këtë ngjarje, është se ceremonia ishte individuale, ndryshe nga raste të tjera, kur vlerësime të tilla bëhen për disa personalitete njëherësh.
Komandant i Legjionit të Nderit është nderimi më i lartë kombëtar në Francë i krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 dhe deri më sot mbahet nga 93 mijë anëtarë.
Para disa ditësh shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare u nderua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me dekoratën e Flamurit Kombëtar në Konferencën Ndërkombëtare me titull “Shekulli i Kadaresë”, ku po marrin pjesë dhjetëra përkthyes nga e gjithë Evropa. Presidenti Nishani gjatë ceremonisë së dhënies së dekoratës së lartë tha se vepra e Ismail Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar, është vlerë botërore, duke theksuar se për Ismail Kadarenë, megjithatë, ky është një vlerësim i vonuar.
“Ky është një eveniment i rëndësishëm shkencor, akademik. E konsideroj privilegj personal dhe institucional që të jem së bashku me ju, për të sjellë në vëmendje një figurë jo vetëm me rëndësi për trashëgiminë kulturore, por edhe me vlera të kulturës botërore.
Vepra e Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar, edhe vetë Kadare i përket fondit kulturo, shkencor, artistik, botëror. Në radhe të parë nderojmë Kadarenë për vlerat e tij për kombin shqiptar. Theksoj edhe kontributet e paçmuara, pasi nuk ka mirënjohje që të jetë e mjaftueshme, për t’i njohur Kadaresë të gjitha meritat e tij, krijuese si qytetar, mendimtar e krijuar. Të flasësh për Kadarenë duket e lehtë, por është edhe e vështirë,. E lehtë sepse ke pambarimisht për të thënë, e vështirë sepse për të janë shprehur zërat më të artikuluar të Evropës dhe botës, duke e konsideruar atë një klasik të gjallë”, tha presidenti Nishani. Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në të gjithë botën.