Rrëmbehet mësuesi që protestoi për largimin e trafikantit me 4 emra

Shefi i Komisariatit të Kurbinit, Ermal Lila, duke zbatuar urdhrat politikë, ka dërguar policë dje në shkollë, gjatë mësimit, për të marrë me forcë mësuesin Vladimir Korriku, që ishte në protestën e qytetarëve që kërkuan largimin e Kryetarit të Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi. Partia Demokratike denoncoi dje terrorin që po ushtrohet ndaj qytetarëve që kanë protestuar kundër kryebashkiakëve të inkriminuar duke kërkuar largimin e tyre. Përmes një reagimi për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani theksoi se kjo dhunë, ky presion i Edi Ramës është drejtpërdrejt në mbrojtje të krimit, është një përpjekje e turpshme për të mbyllur gojën e qytetarëve, e demokratëve.
“Edi Rama jo vetëm po i mban banditët e trafikantët që ka katapultuar në zyrat e shtetit, por ka urdhëruar dhe terror ndaj qytetarëve që protestojnë dhe kërkojnë pastrimin e zyrave nga krimi, çlirimin e pushtetit nga kriminelët.
Njëfarë Ermal Lila, cub me uniformë në Policinë e Kurbinit është vënë në ndjekje të qytetarëve dhe demokratëve që protestuan dje para zyrave të bashkisë, duke kërkuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, ligj që nxjerr prej Bashkisë Bardhin e Ramës, jo vetëm sepse ka precedentë, por edhe e çon për ndjekje penale se përveç 5 emrave që ka deklaruar, ka fshehur dy të tjerë, identitete me të cilat ka probleme me drejtësinë” u shpreh Ristani.
Sekretari i Përgjithshëm i PD i bëri thirrje shefit të komisariatit të Kurbinit të mos prekë qytetarët ndërsa paralajmëroi se dekriminalizimi do të bëhet me çdo kusht.
“Jam sot këtu për t’i bërë të ditur këtij shefi komisariati dhe çdokujt tjetër që shërben urdhrat politikë të Edi Ramës, të mos guxojnë të prekin një qytetar, një demokrat sepse do të përgjigjen deri më një para ligjit.
Artur Bardhi i Ramës, Bushi e Roshi, banditët e trafikantët që ka futur nëpër zyra e deri në Parlament, do të marrin përgjigjen e duhur dhe nuk i mbron dot as Edi Rama, as policia e urdhëruar politikisht.
Shqiptarët të jenë të bindur se dekriminalizimi do të bëhet, politika dhe zyrat e administratës shtetërore do të pastrohen nga krimi. Pushteti do t’u kthehet qytetarëve” tha Ristani.

Protesta në Kurbin

Qytetarë dhe demokratë janë bashkuar të djelën në një protestë në dyert e Bashkisë së Kurbinit, duke kërkuar largimin e kryetarit, si person i inkriminuar. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, duke përmendur krimet për të cilat akuzohet dhe fshehjen e të dhënave që ka bërë Bardhi, u shpreh se është koha që banditët të lënë menjëherë zyrat dhe pushtetin.
“Pesë emra ka deklaruar kryetari i këtij institucioni që kemi pas, që është Bashkia e Kurbinit. Nuk i mjafton Edi Ramës që Artur Bardhi, apo Artur Ndoj, apo Gentian Lila, apo Altin Tanushi, apo Gent Bushi, njëri prej këtyre personave, i cili fizikisht është ky individ që drejton Bashkinë e Kurbinit të jetë person me precedent penal. Në vend që ta zhdukë, në vend që ta shporrë, në vend që ta çojë në burg dhe t’i tregojë vendin, Edi Rama e mban në krye të bashkisë të Kurbinit duke i dhënë mbrojtje politike”, tha Salianji.
Sekretari për Aksionin Qytetar e vuri theksin tek kriteret që ka përdorur Edi Rama për të përzgjedhur të inkriminuarit e për tu dhënë atyre pushtet. “A dini të ketë ky zotëri dhe personat e inkriminuar ndonjë profesion? A e ka kandiduar për shkak se ka qenë mjek i spikatur, apo se ka qenë një mësues i spikatur, se ka qenë njeri me kontribut dhe me reputacion në qytet? Jo! E ka kandiduar vetëm si person me precedent të rrezikshëm kriminal, duke ngritur një strukturë dhe bandë kriminale brenda shtetit. Zotëria që është kryetar bashkie me njërin nga 5 emrat apo 2 të tjerët që ka fshehur, apo edhe drejtorët e bashkisë, apo edhe deputeti, kanë qënë të akuzuar në vitin 1997 për grabitje të armatosur të Bankës së Kurbinit. Po ashtu këta persona janë nën akuza të rënda për trafik prostitucioni, për trafik droge, për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike dhe vazhdojnë e qëndrojnë sot në krye të bashkisë dhe të bashkive të këtij vendi”, u shpreh Salianji.

Arben Shahini

Artikulli paraprakFranca i jep Kadaresë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”
Artikulli tjetërMinistria e Ekonomisë, 17 milionë lekë për faqe interneti kompanisë së lidhur me Beqajn