Renditja e FIFA-s

FIFA ka publikuar sot renditjen e muajit mars 2018 për kombëtaret e botës në futboll. Pavarësisht se në “segmentin” kohor mes dy muajve, që merr në shqyrtim ky klasifikim i radhës, nuk janë luajtur ndeshje, ka ndryshime në pozicionim. Kjo vlen edhe për kuqezinjtë tanë, të drejtuar nga Christian Panucci, që kanë rikuperuar një vend në renditjen e FIFA-s. Më konkretisht, Shqipëria e sheh veten e 58-ta, me 557 pikë për muajin mars. Kujtojmë se në këtë muaj, kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje miqësore me Norvegjinë, në “Elbasan Arena”, më 26 mars. Një vend, pa luajtur fare, pati ngjitur kombëtarja jonë edhe në muajin e kaluar, shkurt 2018. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me përfaqësuesen e Kosovës, që ngjit një shkallë në renditjen e FIFA-s, duke u pozicionuar në vendin e 176-të. Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani de Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.

renditja

Artikulli paraprakJuve dhe Milan sfidë për mesfushorin e Arsenal
Artikulli tjetërPanucci zbardh sot listën për Norvegjinë