Ndihma ekonomike e 30 mijë familjeve u hoq për blerje votash në zgjedhjet lokale

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka replikuar dje me ministren e Shëndetësisë, Manastirliu, për sa i përket skemës së ndihmës ekonomike dhe heqjes së mijëra familjeve shqiptare prej saj. Ajo i tha Manastirliut se, skema është negociuar dhe miratuar prej qeverisë Berisha dhe se qeveria e rilindjes është aq e paaftë saqë nuk di ta vërë në zbatim. Më tej Vokshi tha se, heqja e 30 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike është bërë qëllimisht për t’i përdorur ato në zgjedhjet lokale.
“Marr shkas pas fjalës së ministres së Shëndetësisë, që foli për gjëra krejt të pavërteta. Ose nuk i di, ose nuk i kupton fare ato ç’ka thotë. Foli për marrëveshjen me Bankën Botërore. Por nuk tha që kjo Marrëveshje u iniciua, u negociua, nga qeveria demokratike. Ministrja nuk tha kur është firmosur nga ministri i Financave të asaj kohe, Ridvan Bode. Ministrja nuk e di që kjo marrëveshje është miratuar nga ky Parlament para se në pushtet të vinte Rilindja. Po ta dinte nuk do të bënte gafa të tmerrshme.

Kjo s’është gjë tjetër veçse injorancë, paaftësi totale nga ana e qeverisë Rama. Ua bëmë gati këtë projekt, e negociuam, e miratuam, ua dhamë në dorë dhe ju thamë vetëm vijeni në zbatim. Por jeni aq të paaftë, saqë as atë që ua dhamë gati nuk po dini ta vini në zbatim. Mësojeni, qëllimi i kësaj Marrëveshje me Bankën Botërore nuk ka qenë e nuk duhet të jetë heqja e familjeve nga skema e ndihmës. Jo!! Përkundrazi, qëllimi ka qenë pastrimi i skemës nga abuzuesit dhe futja në skemë e familjeve më të varfëra e që e meritojnë të jenë në këtë skemë.
Sigurisht që ka pasur abuzime, ka pasur shumë abuzime nga pushteti vendor. Dhe për të trajtuar pikërisht këtë prroblem, u negociua dhe miratua kjo marrëveshje që shpreh vullnetin e qartë të Sali Berishës dhe qeverisë së tij për t’i dhënë fund abuzimeve me skemën e ndihmës ekonomike.

Por kur Rama erdhi në pushtet, çfarë ndodhi?? Veliaj në atë kohë ministër i Mirëqenies bërtiti e uluriti për abuzuesit e skemes së ndihmës ekonomike. Nga 2013 deri në 2017 u hoqën 50 mijë familje të varfëra nga kjo skemë. Por kush u dënua si abuzues. Asnjë!!! Ku janë emrat e abuzuesve përfitues apo dhënës të ndihmës ekonomike???”, u shpreh deputetja e PD.
Më tej Vokshi tha se heqja e 30 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike është bërë qëllimisht për t’i përdorur ata në zgjedhjet lokale.
“Pas 3 vitesh pilotim në 3 qarqe, sot sistemi nuk duhet të lejonte asnjë gabim apo përjashtim të pajustifikuar. Por gjithçka është e qëllimshme. Ndaj nuk bëhet transparencë.
Kërkohet urgjentisht transparenca e procesit dhe publikimi i formulës së pranimit apo përjashtimit të familjeve nga ndihma ekonomike!!!
Bëni publike formulën e përcaktimit të ndihmës ekonomike.
Partia Demokratike nuk është kundër kësaj skeme, por jemi kundër përdorimit të saj për qëllime ogurzeza të Ramës. PD është kundër përjashtimit të 30 mijë familjeve më të varfëra në Shqipëri për t’i përdorur më pas si kontigjent, duke e fryrë dhe shfryrë sipas nevojës për blerje votash për zgjedhje elektorale siç janë zgjedhjet lokale vitin që vjen.
Dhe në fund, në emër edhe të Aleancës së Grave deputete ju kërkoj të anuloni vendimin për përjashtimin e 30 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike, kthimin e tyre në skemë, sepse më shumë se gjysma e tyre janë gra kryefamiljare, që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre”, tha Vokshi.

 

Artikulli paraprakVeliaj trefishoi pagat në Bashki, 276 punonjës mbi 80 mijë lekë
Artikulli tjetërKontrolli ndaj medias shqiptare