Vendimi skandaloz i Ramës: Bllokim hipotekave të të gjithë pronarëve në bregdet, na duhen për investitorët

Duke cituar dy ligje të mazhorancës së Partisë Demokratike dhe një ligj kontrovers të vitit 2015 “Për Investimet Strategjike”, Këshilli i Ministrave urdhëroi të martën bllokimin e regjistrimeve të titujve të pronësisë në disa zona lukrative në bregdet, me argumentin se pronat private po pengojnë të ashtuquajturat “Investime Strategjike”.
“Pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi,” shkruhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, ku “harta bashkëlidhur” nuk është publikuar.
“Njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1 të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi,” vijon më tej vendimi.

Më herët, zyrtarë të ndryshëm të qeverisë janë ankuar se tokat “shtetërore” në bregdet janë vjedhur, sipas tyre, dhe se kërkohet që këto toka të rishtetëzohen.
Abuzimet me të ashtuquajturin ligji 7501, i cili u miratua me votat e dy palëve të politikës shqiptare në vitin e largët 1991 janë të njohura, ku skema më e zakonshme ka qenë shpërndarja në formën e tokës bujqësore të tokave pranë vijës bregdetare me synimin zhvillimin e tyre të mëvonë. Megjithatë, për shkak se qeveritë shqiptare pas viteve 1990 refuzuan të njohin titujt e pronësisë të para kohës së komunizmit, në shumë raste, fshatarët morën tokën e gjyshërve duke u mbështetur në ligjin 7501.
Kaosi që krijoi ligji 7501 në bujqësinë shqiptare ështëgjithashtu i mirënjohur sot, pasi përmes këtij ligji, rreth 450 mijë hektarë tokë bujqësore u shpërndanë në 1.8 milionë ngastra të vogla me dy apo tre dynymë, duke e bërë punimin e tokës pa leverdi ekonomike.
Pavarësisht se u shpërnda, toka në shumë raste mbeti e paregjistruar, shpesh për shkak të kostove të larta administrative dhe për shkak të korrupsionit që kërkohet në zyrat e regjistrimit të pasurive të patundshme.

Problemet e tilla administrative shoqëruan konfliktet e shumta mes pretendentëve të ndryshëm për pronësinë e tokave.
Por qeveria me vendimin e fundit nuk duket se ka për objektiv të trajtojë sadopak problemet e shkaktuara nga ligji 7501. Objektivi i qeverisë është që askush të mos ketë të drejtë të regjistrojë tokën, në rast se kjo tokë ka vlerë tregtare dhe qeveria synon t’ua japë të ashtuquajturve “investitorë strategjikë”. Vendimi i qeverisë me gjasë është i paligjshëm, pasi toka e shpërndarë me një ligj nuk mund të refuzohet me vendim qeverie.
Qeveria e shkuar dhe ajo aktuale kanë shpallur disa nisma për të luftuar ato që ata e quajnë “abuzime” me tokën publike, por që të gjitha këto nisma duket se kanë dështuar të rekuperojnë ndonjë sipërfaqe toke për llogari të shtetit.
Ligji i investimeve strategjike, i miratuar në vitin 2015 i jep të drejtë qeverisë të shkelë të drejtat e pronësisë dhe të japë leje ndërtimi te të ashtuquajturit “investitorë strategjikë” mbi toka që kanë pretendime apo pronësi private.
Një investigim i mëparshëm i BIRN demonstroi se si qeveria dha një leje ndërtimi për fshat turistik në zonën e Palasës në bregdetin e jugut, pavarësisht se një komision i ndërtuar prej asaj vetë kishte dalluar falsifikime.
Një plan i qeverisë ka shënjuar së paku katër njolla të mëdha toke drejtpërsëdrejti në bregdet me supozimin se këto njolla do t’i jepen “investitorëve strategjikë”. Këta të fundit rezultojnë që të gjithë kompani shqiptare.

Gjergj EREBARA

Artikulli paraprakGafa e rëndë e Markut: Po përpiqem të gjej prova kundër PD, Rama i vërsul Kryeprokuroren opozitës
Artikulli tjetërKush është menaxheri shqiptar që krijoi bandën kriminale në Itali