Si lobon George Soros që një vend i BE t’i kundërvihet një tjetri. Ja shembulli

Kreu i një organizate të financuar nga George Soros ka përshkruar se si grupi përdorte ndikimin mbi një qeveri për t’i bërë presion një vendi tjetër për të mirën e miliarderit hungarezo-amerikan.
Bashkimi i Lirive Civile për Evropën drejtohet nga Balázs Dénes, drejtor ekzekutiv i grupit me bazë në Berlin. Organizata u shkëput nga Open Society Foundation i Sorosit në janar 2017.
Në regjistrimin e një takimi në Amsterdam në janar – midis Dénesit dhe dikujt që ai mendonte se ishte përkrahës – Dénes flet për punën e organizatës së tij për t’i bërë presion Hungarisë për të ndryshuar ligjin që kufizon financimet e huaja për OJQ-të, i cili synonte të pengonte aktivitetet e Sorosit në vend. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se ligji bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.
Vërejtjet e Dénesit tregojnë një përpjekje të përqendruar nga ana e organizatës së tij për të influencuar mbi ligjin hungarez, duke pasur si levë influencën gjermane kundër Hungarisë. Ai detajoi përpjekjet për të bindur Gjermaninë për të bërë presion të rëndë ekonomik mbi Budapestin për të abroguar ligjin e OJQ-ve, sepse kompanitë gjermane kanë investuar shumë dhe janë punësues të mëdhenj në Hungari.

Për ligjin e OJQ-së, Dénes thotë “po punojmë shumë fort. Këtë javë kam një takim me një think tank, një organizatë që ka ndikim në qeverinë gjermane dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe do t’u çoj kopje të ligjit të përkthyera nga hungarishtja dhe do t’u shpjegojë se çfarë mund të bëjnë kundër tij”.
I pyetur se si mundet Gjermania të kundërshtojë një ligj hungarez, Dénes tregon fabrikat në Hungari që janë nën pronësi të Mercedes, Audi e Bosch.
“Gjermania, falë investuesve dhe kompanive gjermane, është lojtar me influencë në Hungari. Kështu që, nëse Ministria e Jashtme gjermane dëshiron diçka, i ka mundësitë dhe mjetet”, thotë Dénes.
Organizata po “krijon një task forcë, një grup avokatësh që dinë si të përdorin ligjet e BE në Hungari dhe vende të ngjashme për të mbrojtur të drejtat e OJQ-ve”.
Shumë politika të qeverisë nacionaliste hungareze janë kritikuar nga vendet e BE dhe grupet e të drejtave të njeriut. Grupet hebreje dhe të tjera kanë protestuar kundër lëvizjeve të qeverisë për të nderuar ish-liderin hungarez dhe bashkëpunëtorin e nazistëve Miklós Horthy, i cili mbikëqyri vrasjen e më tepër se gjysmë milion hebrenjsh.

Qeveria hungareze krijoi polemika vitin e kaluar me fushatën kundër qëndrimit pro-migracion të Sorosit. Fushata – e cila solli incidentet me vizatime antisemite në të gjithë vendin – shfaqte fytyrën e buzëqeshur të Sorosit me fjalët “Le të mos ia lemë Sorosit të qeshurën e fundit”.
Open Society Foundation është mbështetësi kryesor i organizatës së drejtuar nga Dénes dhe në takimin e Amsterdamit ai tha se, “kemi marrë një milion dollarë nga Open Society Foundation. Për shkak se është një degë e OSF… do të thotë se, projekti im vazhdonte në OSF. Dhe pas katër vjetëve, kur thamë ‘OK, tani jemi gati, le ta krijojmë këtë gjë’… Soros më tha që do t’ju japim tre milionë dollarë për tre vitet e ardhshëm”.
“Arsyeja madhore pse u rekrutova pesë vjet më parë nga OSF ishte pranimi i faktit që në të njëjtën kohë në Evropë nuk kishte ndonjë grup të drejtash të njeriut në gjendje të kontrollonte BE”, thotë Dénes.
Në regjistrim, Dénes e përshkruan këtë kontroll si aftësinë “për t’u kundërpërgjigjur për një numër gjërash… dhe për të organizuar njerëzit dhe nisur fushatat publike dhe mobilizimin”.
Dénes i konfirmoi këto pohime dhe deklaroi për “The Jerusalem Post” se ai nuk po sugjeronte që kompanitë gjermane të mos investonin në Hungari. Megjithatë, tha ai, “nëse Ministria e Jashtme gjermane dëshiron të arrijë diçka në Hungari, zëri i saj është mjaftueshëm i fuqishëm që të merret seriozisht, për shkak të investimeve gjermane në Hungari”.
I pyetur nëse është legjitime që të nxitësh Gjermaninë për të influencuar mbi ligjet hungareze, Dénes thotë: “Kur këto ligje nuk janë në linjë me BE, me Traktatin e Lisbonës dhe me vlerat themelore të BE, mendoj vërtet se ky është një opsion… BE po kërkon veprim në këtë moment, për shkak të ligjit, të cilit i referohem. Nuk është një ligj i pafajshëm që rregullon taksat apo ndonjë gjë tjetër, është një ligj që kufizon të drejtat e OJQ-ve”.

“Ne nuk influencojmë legjislacionin, ne flasim direkt me vendimmarrësit dhe njerëzit, por nuk kemi mjete të tjera për të influencuar legjislacionin”.
Dénes shpjegoi se çfarë donte të thoshte me “të kontrollosh Bashkimin Evropian”, duke thënë se “ajo çka BE bën në lidhje me të drejtat e njeriut duhet të vëzhgohet nga organizatat e lirisë civile. OJQ-të e të drejtave të njeriut duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë një funksion vëzhgimi mbi çdo institucion publik… Një organizatë ndërkombëtare e tillë si e imja duhet të jetë në gjendje t’u thotë qeverive të ndryshme të huaja, se cila mund të jetë politika e tyre karshi politikës së një qeverie tjetër. Nuk shoh ndonjë problem këtu”.

Marrë nga “Jeruzalem Post”
Përgatiti: SYRI.net

Artikulli paraprakDenoncimi i Berishës: Ja si hajdutët e Ramës vjedhin ndihmat për të përmbyturit
Artikulli tjetërTenderat e luksit, 1 milion euro blerje veturash