LSI: Rama me probleme mendore

Tronditje të karakterit mendor e cilësoi kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se emigracioni nuk është një fenomen i keq. Në një konferencë me gazetarët, Vasili tha se sot Shqipëria ka emigracionin më të lartë të moshave 7-17 vjeç në Europë. “Të flasësh kështu për emigracionin do të thotë që mendja ka një problem. Sot, Shqipëria ka emigracionin më të lartë të moshave të reja 7 deri në 17 vjeç në Evropë, e çertifikuar jo nga unë, por nga organizatat ndërkombëtare. Kjo është shuplaka më e fortë për një të paditur dhe shkollëpakët, përveçse mizor ndaj shqiptarëve.Shqipëria me 2 milionë e 800 mijë që i ikin 400 mijë njerëz nuk është parë. Kjo nuk është parë as në vitet më të frikshme të emigracionit evropian para 120 vitesh. Bëhet fjalë para Luftës së Parë Botërore, që ishin momente të një trazimi të madh botëror. Shqipëria sot përballet me një krizë të tillë. Fakti që kemi numrin më të madh të grupmoshës 7 deri në 17 vjeç, kjo është jo thjesht një këmbanë alarmi, por damka e turpit për një Kryeministër, i cili jo thjesht t’i qaset kokëulur dhe i turpëruar këtij problemi flet me krenari “Ani se ska problem”.

Këta 7-17 vjeçarë që nuk kanë mundësi të mbushin barkun me bukë shkokan për turizëm në Evropë, sipas këtij shkollëpakti.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me takimin e aluduar në media mes Kryemadhit dhe Ramës, Vasili u shpreh se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë ndonjë takim.
“Zonja Kryemadhi ka pohuar dhe ka vendosur një standard, të cilin unë e përshëndes shumë fort, edhe si pjesëtar i politikës, transparencën absolute në takimet politike. Dhe përsa i takon pozicionimit, orientimit dhe luftës sonë, LSI dhe sigurisht bashkë me LSI-në Monika Kryemadhi që e udhëheq LSI-në, janë të vendosur shumë qartë në opozitë”, tha Vasili.
Ndërsa për mundësinë e bashkëpunimit politik me PD-në për zgjedhjet vendore, Vasili tha se ky është një diskutim i dorës së dytë, duke theksuar se fokusi i opozitës është lufta ndaj qeverisë që sipas tij po varfëron shqiptarët. “Kur Shqipëria rrezikohet nga një kriminalizim kapilar dhe i skajshëm, në radhë të parë jemi të thirrur t’i japim përgjigje këtyre çështjeve të mëdha politike. Sigurisht që zgjedhjet administrative atje janë dhe të gjithë strategjitë do të përpunohen në rrugë e sipër, duke pasur parasysh edhe kandidatët më të suksesshëm. Pra është një argument absolutisht i dorës së dytë në raport me gjendjen në të cilën ndodhemi ne, në raport edhe me ndërkombëtarët”.

 

Artikulli paraprakKryeministria tender 44 mln lekë për ngrohje dhe ventilim
Artikulli tjetërShqiptarët dynden për azil në Greqi, gjatë 2017 mbi 2 mijë aplikime