Dy pronarë të një lokali, një shqiptar dhe një 45-vjeçare italiane u arrestuan nga karabinierët në Savona, pasi akuzohen për trafik droge. Dy të arrestuarit përdornin ambientet e lokalit si bazë për shitjen e drogës.
Mediat italiane shkruajnë se 49-vjeçari shqiptar Indrit Kadrimi dhe Barbara Longo lindur në Savona janë bashkëshortë.
Nga kontrolli që policia ushtroi në lokalin e tyre u gjetën 40 gram kokainë, e cila ishte ndarë në doza dhe ishte gati për shitje, 10 gram hashash si dhe materiale të tjera paketimi për drogën dhe një shumë të madhe parash. Po ashtu dy të arrestuarit akuzohen edhe për shkelje të rregullave të higjienës në ambientet e punës.
Një ditë më parë plicia franceze arrestoi dy shqiptarë, pjesë të një organizate kriminale, të cilëve iu sekuestrua një sasi droge dhe para cash. Sipas mediave franceze, dy shqiptarët besohet se janë pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal që vepronte në Rhone dhe Isere.
1.5 kg heroinë u sekuestruan, 40 kg përzjerës dhe 30 mijë euro cash. Arrestimi i shqiptarëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë me dije, është pjesë e një hetimi të nisur në janar nga Prokuroria e Grenoble, kur u arrestuan dy shqiptarë të tjerë. Sipas shtypit francez, bëhet fjalë për një organizatë kriminale të trafikut të drogës në Francë dhe në Holandë.
Ky rrjet është gjithashtu i përfshirë edhe në shfrytëzim prostitucioni të vajzave rumune në rajonin e Grenoble. Mendohet se dy shqiptarët e arrestuar së fundmi ishin pjesë e strukturave të larta të organizatës kriminale.