Octavio Paz
Zëri i saj është tjetër sepse është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe është i sotëm, lashtësi pa kronologjira. Poezi heretike dhe skizmatike, poezi e pafajshme dhe perverse, e qartë dhe e baltosur, e ajërt dhe e nëndheshme, poezi e shkretimit dhe e barit tek këndi, poezi e prekshme dhe përherë poezi e së përtejmes që është pikërisht këtu. Të gjithë poetët, në këto çaste të mëdha ose të vogla, të përsëritura ose unike, në të cilat janë në të vërtetë poetë, dëgjojnë zërin tjetër. Është i tyre dhe është i huaj, nuk i takon askujt dhe u takon të gjithëve. Asgjë nuk e veçon poetin nga burrat dhe gratë e tjera, përveçse atyre – të rralla megjithëqë janë të shpeshta – ku vërtet ai vetë është dikush tjetër. Pushtim i çuditshëm forcash dhe pushtetesh, gufmim i një thellësie shpirti varrosur në të brendshmen e vet, apo dhunti e rrallë të kombinojë fjalë, imazhe, tinguj, trajta? Nuk është e lehtë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Ndërkaq, nuk besoj se bëhet fjalë vetëm për një dhunti. Por edhe nëse është kështu, prej nga vjen? Ose njëra, ose tjetra. E sigurta është që, e veçanta themelore e fenomenit poetik, na bën të mendojmë se bëhet fjalë për një sëmundje që pret akoma diagnostikimin e mjekut. Mjekësia e lashtë – siç edhe filozofia, me Platonin të parin – e pa dhuntinë poetike në këndvështrimin e një turbullimi psikik. Ishte një mani, domethënë një zemëratë e shenjtë, një entuziazëm, një ekstazë. Ndërkaq, mania nuk është veçse njëri nga polet e turbullimit. Tjetri është absentia, boshi i brendshëm, ajo “gogësima melankolike” për të cilën flet poeti. Plotëri dhe boshësi, fluturim dhe rënie, entuziazëm dhe melankoli: poezi. Veçantia psikike dhe shoqërore e poetit, theksohet menjëherë sapo të trajtohet për nga prejardhja e tij shoqërore. Të gjithë poetët modernë, përveç një gjysmë duzine aristokratësh, bënin pjesë në klasën e mesme. Të gjithë kishin formim universitar. Disa ishin avokatë dhe gazetarë, të tjerë ishin mjekë, mësues, diplomatë, reklamues, bankierë, tregtarë, burokratë të vegjël ose të mëdhenj. Pak, si Verleni dhe Rembo, ishin parazitë dhe rebelë. Por Verleni kishte një të ardhur të vogël dhe Rembo ishte një drop-out i klasës borgjeze të provincës. Përgjithësisht, të gjithë ishin produkt i krijimit të madh historik të modernizmit: të klasës borgjeze. Prandaj dhe të gjithë pa përjashtim ishin pozicionuar armiq të modernizmit. Armiq dhe viktima. Kështu – një tjetër paradoks – ishin krejtësisht modernë. Heterodoks si Elioti kur himnizojnë klasën ose kur bëjnë shpeshherë kryqin (për t’u falur) si Klodeli, ose kur himnizojnë litani leniniste, si Brehti dhe Neruda. Liberalë si Paundi kur mbajnë temjanin për të lajkatuar një demagog të kamufluar si Çezar… Të gjithë, poetë me uniformë ose leckamanë, gra poete ose burra poetë, poetë të të gjitha racave dhe i asnjë race, i të gjithë profesioneve, bindjeve, partive dhe dogmave, poetë të endur nëpër katër pikat e horizontit dhe poetë që kurrë nuk kanë braktisur qytetin e tyre, lagjen e tyre ose dhomën e tyre, të gjithë kanë dëgjuar, jo nga jashtë, por brenda nga vetë qenia e tyre (gjëmim, gërgërimë, përrua uji) zërin tjetër. Kurrë zërin e “këtu dhe tani”, të sotmin, por zërin përtej, larg, tjetrin, zërin e fillimit. Veçantia e poezisë moderne nuk konsiston tek idetë ose veprimet e poetit: konsiston në zërin e tij. Ose më mirë: në tonin e zërit të tij. Është një theksim i papërcaktuar, i dallueshëm dhe i cili fatalisht e bën tjetër. Është vula jo e mëkatit fillestar, por e ndryshimit fillestar. Antimodernizmi i modernizmit të poezisë sonë, shpërthyer ndërmjet revolucionit dhe fesë, luhatur ndërmjet të qarit si Herakliti apo të qeshi si Demokriti, është një transhendencë e njëmendët. Por një transhendencë pothuajse përherë e pavullnetshme që paraqitet pa e dashur poeti. Transhendenca rimbin, siç edhe tashmë kam thënë, nga një ndryshim zanafillor. Nuk është një vijim konsekuent, as dhe një element shtesë, por vetë mënyra e qenies së poezisë në epokën moderne. Shkaku i kësaj veçantie është historik. Një poezi mund të jetë moderne nga temat e saj, gjuha e saj, forma e saj, por nga thellësia e natyrës së saj është një zë antimodern. Poezia shpreh të vërteta të huaja kah modernizmit, botë shpirtrash dhe sfera që jo vetëm janë tepër të lashta, por dhe të papërshkueshme prej ndryshimeve të historisë. Që prej epokës paleolitike, poezia ka qenë në simbiozë me të gjitha shoqëritë njerëzore. Nuk ka ekzistuar shoqëri që të mos ketë njohur njërën ose tjetrën formë të poezisë. Edhe nëse është e lidhur me një terren dhe një histori, është përherë e hapur në çdo shfaqje të tyre, në një dia-historik të përtejmë. Nuk aludoj një të përtejmë fetar: flas për konceptin e anës tjetër të realitetit. Është një përvojë e përbashkët për të gjithë njerëzit, në të gjitha epokat dhe e cila më duket paraardhëse e të gjitha feve dhe filozofive.
Në një botë që rregullohet nga logjika e tregut, në vendet komuniste nga logjika e efikasitetit, poezia është një veprimtari me rendiment ekonomik zero. Prodhimet e saj shiten pak dhe kanë vlefshmëri të vogël (përveç rasteve që vlejnë si propagandë në diktatura dhe totalitaritetet ideokratike). Për mentalitetin modern, megjithëqë në të njëjtën mënyrë nuk e pranon, poezia është energji, kohë dhe talent që shndërrohen në tepri objektesh. Vjershë: trajtë lektike me vlefshmëri të vogël dhe çmim të ulët. Poezi: shpenzim, harxhim, shkapërderdhje. Megjithatë, kundër erës dhe baticës, poezia qarkullon dhe lexohet. Duke protestuar kundër sistemit të tregut, pothuajse nuk ka çmim. Nuk ka rëndësi: shkon nga goja në gojë, si ajri dhe uji. Çmimi dhe vlera e saj nuk mund të maten: një lypës mund të jetë i pasur në poezi. As nuk është e mundur që dikush të depozitojë poezi, duhet t’i shpenzojë. Domethënë që t’i thotë. Mister i madh: vjersha përmban poezi me kushtin që të mos e mbajë për veten e vet. Është e bërë për ta shpërhapur dhe ta shpërndajë si kana që derdh verën dhe ujin. Të gjitha artet, veçanërisht piktura dhe skulptura, duke u formësuar, bëhen gjëra, prandaj mund të ruhen, të shiten dhe të metamorfozohen në objekte spekulimi financiar. Poezia është gjithashtu gjësend, por është një gjë shumë e vogël: është e bërë nga fjalë, një frymëmarrje ajri që nuk zë vend në hapësirë. Në rrjedhë të anasjelltë nga tabloja e pikturës, poezia nuk tregon figura, as trajta: është një komplot fjalësh që bën të shpërthejë tek lexuesi ose tek dëgjuesi një tablo me imazhe shpirtërore. Poezia dëgjohet me veshë, por shikohet me të kuptuarit e mirë dhe të thellë. Imazhet e saj janë disa plazma amfibe: janë ide dhe janë forma, janë tinguj dhe janë heshtje. Përpara se të përfundoj, më duhet të përsëris atë që thashë. Konflikti ndërmjet poezisë dhe modernizmit nuk është i rastësishëm, por rrënjësor. Kundërshtia midis tyre paraqitet që prej fillimeve të epokës sonë me romantikët e parë. Paradoksi është se kjo mungesë kompromisi është një nga karakteristikat e njohura, ndoshta themelorja, e poezisë moderne, për më tepër, kjo mungesë kompromisi e bën të pranueshme nga ana e lexuesit që shikon tek kjo një imazh të gjendjes së tij. Vetëm poetët modernë mund të jenë kaq totalisht dhe kaq skizmatikisht antinovatorë, siç qenë poetët tanë të mëdhenj. Modernizmi i bazuar tek kritika, lind në një mënyrë të natyrshme kritikën e vetvetes. Poezia është një nga shfaqjet më aktive dhe të gjalla të kësaj kritike. Por kritika e saj nuk ishte as racionale dhe as filozofike, por u bë me pasion dhe në emër të realiteteve që injoron ose mohon epoka moderne. Poezia i ka bërë rezistencë modernizmit dhe duke mos e pranuar e ka rigjallëruar. Ka qenë kundërthënia dhe antidoti i tij. Duke mbërritur në këtë pikë, kthehem në fillim të mendimit tim. Sot jemi dëshmitarë, konform gjithë shenjave, të një ndryshimi tjetër të madh. Nuk dimë nëse jetojmë fundin apo ripërtëritjen e modernizmit. Në këtë kthim të kohëve, kush do të mund të ishte roli i poezisë? Nëse, siç besoj dhe shpresoj, lind një politikë e re mendimi, krijuesit e saj do të duhet të dëgjojnë zërin tjetër. Nuk e dëgjonin ideologët revolucionarë të shekullit tonë dhe kjo shpjegon, pjesërisht të paktën, dështimin e madh të planeve të tyre. Do të ishte shkatërrimtare që filozofia e re politike të injoronte këto të vërteta, të fshehura dhe të varrosura nga njeriu i sotëm. Përgjatë kohës së dy shekujve të fundit, roli i poezisë ishte të na kujtonte ekzistencën e këtyre realiteteve. Poezia e nesërme dhe roli i saj nuk do të mund të jetë i ndryshëm. Misioni i saj nuk do të konsistonte në atë që, të furnizonte me ide mendimin, por t’i rikujtonte, siç edhe tani, atë që me idhnim ka harruar që prej tre shekuj. Poezia është kujtesa që bëhet imazh dhe imazhi që shndërrohet në zë. Zëri tjetër nuk është zëri që del nga varri: është zëri i njeriut që fle në thellësi të çdo njeriu. Është mijëravjeçar dhe ka moshën tonë dhe ende nuk ka lindur. Është gjyshi ynë, vëllai ynë, stërnipi ynë.