Christian Panucci, trajneri i kombëtares kuqezi, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka folur për shumë gjëra, në prag të miqësores me Norvegjinë, e cila do të luhet më 26 mars në “Elbasan Arena”. Ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
– Në çdo skuadër, kapiteni bën lidhjen mes stafit teknik dhe lojtarëve. Pse u shmang Agolli për këtë ndeshje të radhës?
Në shtator, Agolli bën 36 vjeç, pra në momentin që fillojnë eliminatoret zyrtare. Do të mendojmë më gjatë për sa i përket pozicionit të tij dhe zëvendësuesit, i kondicionuar nga mosha. Kam folur me Agollin dhe i kam thënë që, nëse do të kem nevojë, do ta kem në konsideratë. Duhet të jem shumë i qartë në atë që përcjell. Mbush 36 vjeç në shtator, kur fillojnë këto eliminatore dhe 38 vjeç, kur fillojnë eliminatoret e Botërorit. Këtë ia kam bërë të qartë edhe Agollit, dua t’ua bëj të qartë edhe juve. Agolli është një profesionist i madh, do të doja ta kisha trajnuar kur ishte 28 vjeç. Tani kam një obligim për të kërkuar diçka tjetër, sepse mosha në futboll e bën të vetën.
– Atëherë, cili do të jetë kapiteni?
Ditën që u prezantova si trajner, e mbani mend çfarë ju thashë. Është shumë e thjeshtë për të kuptuar se kush ka më shumë prezenca në ekipin kombëtar, ai do të jetë kapiteni. Nga ata 11 lojtarë që do të zbresin në fushë, kapiten do të jetë ai që ka më shumë ndeshje. Do të duhet të prisni se kush do të luajë të hënën e ardhshme dhe llogaritë i bëni vetë se cili do të jetë kapiteni ndaj Norvegjisë.
– Ky do të jetë grupi i eliminatoreve apo priten të tjera afrime?
Grupi është duke u formuar dhe besoj e keni kuptuar. Natyrisht që deri në qershor do të provoj lojtarë 26-28 vjeç, që do të jenë baza. E kam vendosur pak a shumë, por do të kemi edhe lojtarë të tjerë. Sadikun e njoh, por them se është problem, sepse po luan pak në klubin e tij. Do të punojmë fizikisht me të. Kemi në sulm Cikalleshin dhe Balajn, me karakteristika të ndryshme me njëri-tjetrin. Guri? Ishte e drejtë të grumbulloja Sadikun, pasi kombëtarja është një mundësi më shumë dhe një stimul, siç bëra me Alijin më parë. Sadiku, që nga janari, ka luajtur vetëm 30% të ndeshjeve, por është i mirë në zonë, prandaj na duhej.
– E keni zgjeruar vështrimin tuaj si trajner edhe në Superiore …
Jam trajner i kombëtares së këtij vendi dhe natyrisht që e ndjek edhe kampionatin shqiptar. Abazaj dhe Gavazaj më pëlqejnë, sepse janë lojtarët e duhur për mënyrën tonë të të luajturit. Ata janë lojtarë shumë të mirë një kundër një. Po luajnë shumë mirë, prandaj e meritonin një çmim. Tani duhet parë si do të luajnë me kombëtaren. Kush bën mirë në kampionat, e grumbulloj në kombëtare, nuk kam asnjë kompleks.
– Diçka më shumë për rastin e Andi Lilës…
Nuk ka kualitetet e Lilajt dhe Ramadanit, por është i fortë. Kam kërkuar të bëj një miks futbollistësh në këtë grumbullim. Lojtarët si Lila janë shumë të rëndësishëm për ne në 30 minutat, sepse kam konstatuar se biem fizikisht.
– Çfarë ndodhi me Zhegrovën?
Kemi biseduar me lojtarin. Ishte i gatshëm të vinte me Shqipërinë. Në momente të tilla, prindërit në shumë raste janë shkatërrimi i fëmijëve të tyre edhe si lojtarë. Kaq dhe pikë.
– Po Bujar Lika?
Ai luan te Grasshopers nga fillimi i vitit. E kam ndjekur gjatë këtyre dy muajve, pothuajse ka qenë titullar në ekipin e tij. Kam grumbulluar edhe Balliun shpesh. Në rastin konkret vendosa të lë në shtëpi Balliun dhe të thërras Likën. Pastaj do të shohim si do të procedohet me grupin më tej.
– Strakosha apo Berisha titullar në portë?
E bukur të zgjedhësh kur je në nivel të lartë. Kam një ide timen. Tri ndeshjet në vazhdim, para se të fillojnë eliminatoret, do të përpiqem t’i alternoj, t’i shikoj në veprim. Berisha luajti në Turqi, sepse Strakosha nuk ishte mirë fizikisht dhe u largua. Në këtë pozicion jam i qetë.