Edicioni i 100-vjetorit të Kupës së Amerikës vazhdon të preket nga dëmtimet. Listës së yjeve që nuk do të marrin pjesë në turne, i shtohen Lucas Biglia i Argjentinës dhe portieri i Kosta Rikas, Keylor Navas. Skuadra e madhe, më e prekur në Kupën e Amerikës është padyshim Argjentina. Pas dëmtimeve të Leo Mesi, Ezequiel Lavezzi e Javier Pastore, që nuk do të jenë në formën më të mirë, tashmë radhën e kishte Biglia.
Për këtë të fundit, problemi është më serioz, me mesfushorin e Lazios që vuan nga lëndimi në muskujt e kofshës së majtë. Sipas të gjitha gjasave, Biglia nuk do të rikuperohet në kohë dhe do t’i duhet të largohet nga përfaqësuesja “albiceleste”. Për këtë arsye, trajneri “Tata” Martino ka bërë gati emrin e zëvendësuesit të organizatorit. Ai është Guido Pizarro, mesfushori i Tigres. Ndërkohë, probleme te Argjentina ka edhe për Erick Lamela-n, që pësoi ndrydhje të kaviljes në stërvitjen e parë të ekipit. Gjendja e sulmuesit të Tottenham do të vlerësohet në orët në vijim.
Lajme të këqija për Kosta Rikën, që pas surprizës së dy vjetëve më parë në Botërorin e Brazilit, synon të jetë sërish Hirushja e turneut. Megjithatë, skuadra e teknikut Oscar Ramírez do të ketë dy mungesa të rëndësishme.
I pari është portieri Keylor Navas, që sapo triumfoi në Champions me Realin e Madridit. Gardiani u detyrua të heqë dorë nga Kupa e Amerikës, pas një dëmtimi në Tendinën e Akilit të këmbës së majtë dhe duhet të qendrojë pushim. Tjetër i dëmtuar është sulmuesi i Bangkok Glass, Ariel Rodriguez. 26-vjeçari do të zëvendësohet nga Johnny Woodly, 35-vjeçari veteran që shpreson të debutojë me përfaqësuesen.
Kampionati europian humbet një tjetër yll, teksa Marco Reus nuk do të jetë pjesë e kombëtares gjermane. Trajneri i kampionëve të botës Joachim Low ka zyrtarizuar listën e 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë Gjermaninë në Francë, aty ku nisen si favorit për të triumfuar. Timonieri i pançerave ka lajmëruar me keqardhje se sulmuesi i Borusias së Dortmundit nuk do të jetë pjesë e skuadrës, duke e cilësuar si një aset të rëndësishëm që do t’i mungojë skuadrës. Arsyeja e këtij vendimi është fakti se, futbollisti vjen nga një periudhë dëmtimi dhe ende nuk është në gjendje të vrapojë, duke bërë që Reus pas botërorit të 2014 të humbasë edhe një tjetër eveniment të rëndësishëm me kombëtaren si europiani.
Teksa pritej që zgjedhjet e Low për të shkurtuar listën në 23 emra të binte mbi të rinjtë e ekipit, dëmtimi i Reus ka lehtësuar disi punën e trajnerit, dhe së bashku me të në shtëpi do të qëndrojnë lojtarët e Bayer Leverkusen, Karim Bellarabi dhe Julian Brandt, si dhe mesfushori i Hofenhaim Sebastian Rudy. Të 4 futbollistët janë larguar nga kampi stërvitor në Zvicër, aty ku Gjermania po përgatitet për miqësoren me Hungarinë, përpara debutimit në evropian ndaj Ukrainës.