Zgjedhjet e trazuara në Rusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta udhëheqë këtë vend edhe për gjashtë vjet, pasi ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Me gati të gjitha votat e numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Putin ka fituar 76.67 për qind të tyre, ndërsa pjesëmarrja në votime ka qenë 67.47 për qind. Sipas Komisionit Zgjedhor, kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin, ka dalë i dyti me 11.82 për qind, i ndjekur nga ultranacionalisti Vladimir Zhirinovsky me 5.68 për qind dhe gazetarja Ksenia Sobchak me 1.66 për qind. Katër kandidatët e tjerë kanë pasur 1 për qind ose më pak. Putin, 65 vjeç, i është adresuar masës përpara Kremlinit, një orë para mesnatës së shkuar, duke i falënderuar votuesit për mbështetjen. “Ne jemi patjetër të destinuar për të arritur sukses, apo jo? Faleminderit shumë. Së bashku do të bëjmë punë të madhe, në emër të Rusisë”, ka thënë Putin. Duke folur për gazetarët, Putin ka thënë se nuk planifikon të ndryshojë Kushtetutën e Rusisë tash për tash. Kufizimi ekzistues i dy mandatave të njëpasnjëshme presidenciale nënkupton që Putin nuk do të mund të garojë sërish për president në vitin 2024, pa e ndryshuar Kushtetutën, por do të mund ta bënte një gjë të tillë në vitin 2030. “Tani për tani nuk po planifikoj ndonjë reformë kushtetuese”, ka thënë Putin. Ndër udhëheqësit e parë që kanë përgëzuar Putinin për fitoren kanë qenë presidenti i Kinës, Xi Jinping, Nursultan Nazarbaev i Kazakistanit, Alyaksandr Lukashenka i Bjellorusisë, Abdel Fattah al-Sissi i Egjiptit dhe Nicolas Maduro i Venezuelës. Putin gëzon popullaritet të madh në Rusi në kohën kur po bëhen katër vjet prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë. Ky veprim dhe ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri shihen si suksese patriotike. Videot e postuara në mediat sociale kanë treguar parregullsi gjatë zgjedhjeve në disa qytete në Rusi. Sipas disa pamjeve, zyrtarët zgjedhorë i kanë mbushur kutitë me fletëvotime. Por, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, shefja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, ka thënë se nuk ka pasur shkelje të rënda.

Parregullsitë
Rrjeti kompjuterik i Komisionit Qendror Zgjedhor në Rusi është përballur në ditën e zgjedhjeve presidenciale me sulme nga të paktën 15 vende të ndryshme. Kështu u shpreh kryetari i Komisionit, Ella Pamfilov në Moskë. Serverët tanë janë vërshuar nga sulme të shumta. “Sulmet kanë ardhur nga 15 vende të ndryshme”, tha Pamfilov. Burimet ruse thonë se janë sulmuar edhe mediat ruse dhe jo vetëm Komisioni.

Presione dhe manipulime
Opozita ruse dhe organizatat joqeveritare pohojnë se gjatë votimeve janë vërejtur parregullsi të shumta, presione dhe manipulime. OJQ Golos ka njoftuar deri në mesditë për 1800 parregullsi. Në veçanti shqetësuese janë sipas Golos informacionet për presione ndaj studentëve në universitete. Gazeta liberale “Novaja Gaseta” njofton se studentët në shumë qytete janë kërcënuar se do të kenë probleme me provime në qoftë se nuk dalin në zgjedhje. Presione ka pasur edhe në sipërmarrjet e shtetit.

Vëzhguesit e Navalnit
Mbështetësit e kritikut ndaj Kremlinit, Alexej Navalny, i cili nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, kanë dërguar në vendvotime rreth 33.000 vëzhgues. Ata raportojnë për shumë parregullsi, në veçanti në Moskë dhe afërsi të Shën Petersburgut si dhe në Urale. Simpatizantët e Navalnit kanë botuar edhe video në internet me të cilat dëshmojnë parregullsitë. Burimet ruse njoftojnë se në këto zgjedhje janë vëzhguar nga rreth 1300 vëzhgues të huaj. Vetëm OSBE ka dërguar atje rreth 600 vëzhgues. OSBE do të paraqesë rezultatet e vëzhgimit të hënën. Më shumë se 107 milionë zgjedhës në Rusi janë ftuar të votojnë presidentin e ri. Në të gjitha sondazhet thuhej se, Vladimir Putin do të fitojë edhe një mandat të ri, që ia siguroi atij mbetjen në pushtet deri në vitin 2024. Shtatë kundërshtarët e Putinit në këto zgjedhje nuk kishin kurfarë shansi për fitore. Navalni konsiderohehej si kundërshtari i vetëm serioz, por ai nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhje.

Artikulli paraprakPrishtina dhe Beogradi vazhdojnë dialogun në Bruksel
Artikulli tjetërRritje e papunësisë në Kosovë