Ekonomia shqiptare rezultoi me rritje prej 1.8 për qind në vitin 2014, nga 2 për qind që pati rezultuar në vlerësimin paraprak, duke treguar se rimëkëmbja ekonomike është shumë më e ngadaltë nga sa pati shpresuar qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në publikimin e saj të fundit, INSTAT tha se “në vitin 2014 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë (në volum) prej +1,83% krahasuar me vitin 2013, pas një rritje prej +1,00% në vitin 2013 krahasuar me vitin 2012”.
Programi i qeverisë për kuadrin makroekonomik pati parashikuar rritje në masën 2.1 për qind për vitin 2014, vit kur filloi zbatimin plani trevjeçar i rimëkëmbjes ekonomike, plan që u mbështet në rritjen e përkohëshme të borxhit publik dhe reforma strukturore, të cilat duket se u realizuan vetëm pjesërisht. Rritja prej 2.1 për qind më 2014 duhej të pasohej nga rritja 3.3 për qind më 2015 dhe 4.2 për qind më 2016. Në fakt, kjo gjë nuk ndodhi, rritja e pritshme e vitit 2016 mund të jetë rreth 2.6 për qind, gjë që do të thotë se në xhepat e shqiptarëve mungojnë mbi 200 milionë euro të ardhura shtesë që qenë premtuar në rast se, reformat ecnin siç duhej.
Instituti i Statistikave publikon katër vlerësime për rritjen ekonomike, vlerësimi tremujori, vlerësimi paraprak, gjysmë final dhe final. Përgjatë viteve është dalluar se metoda e mbledhjes dhe përpunimit të statistikave të PBB-së kanë një tendencë të dukshme për mbivlerësim të rritjes në vlerësimin paraprak, i cili korrigjohet në rënie në vlerësimet e mëvona.
Prodhimi i Brendshëm Bruto në vitin 2014 rezultoi 1.39 trilionë lekë, (10 miliardë euro) nga 1.35 trilionë që qe në vitin 2013.
Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në vitin 2014 rezultoi 3,443 euro nga 3,323 euro që qe në vitin 2013.
Sektori me ecurinë më negative më 2014 qe ndërtimi, i cili pësoi rënie me 12.4 për qind.
Bujqësia zë aktualisht 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë pasuar nga Tregtia me Shumicë dhe Pakicë e riparimi i automjeteve me 11 për qind, ndërtimi me 8.7 dhe aktivitete të pasurive të paluajtëshme me 6.2 për qind.
Rritja e papunësisë
Të rinjtë shqiptarë po kalojnë kohë të vështira. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se papunësia në moshat e reja po rritet me ritme shpërthyese nga viti në vit. Sipas INSTAT, vetëm në 3 vitet e fundit, shkalla e papunësisë tek të rinjtë nën 30 vjeç është rritur me 7.2 pikë përqindje. Më konkretisht, nëse në vitin 2012 papunësia tek të rinjtë ishte 26%, vitin e kaluar ajo kërceu në 33.2 për qind. Të dhënat tregojnë se femrat janë ato me nivelin me të lartë të papunësisë duke patur një normë prej 34.7 për qind, ndërsa tek meshkujt e rinj ky tregues është 32.3 për qind. Të rinjtë po e kanë gjithmonë e më të vështirë të gjejnë një punë, teksa rritja ekonomike mbetet e ulët dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në ekonomi qëndron rreth niveleve 70 për qind, sipas Bankës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama u shfaq i nervozuar pak kohë më parë, kur deklaroi se Shqipëria ka punë, por i mungojnë profesionistët. I vënë përballë trysnisë në rritje nga rezultatet zhgënjyese në tregun e punës, kreu i qeverisë u mundua ta gjente problemin tek niveli i edukimit dhe aftësitë e forcës së punës. Por të dhënat tregojnë se drama e papunësisë ka prekur edhe shtresën më të arsimuar të të rinjve. Sipas INSTAT, gjatë 2015-ës papunësia tek të rinjtë që kanë mbaruar universitetin u rrit për të tretin vit rresht. Të dhënat tregojnë se aktualisht 20.2 për qind e të rinjve që kanë mbaruar studimet e larta janë të papunë. Ky është një nivel i lartë papunësie. Më i lartë edhe se sa norma mesatare e papunësisë në shkallë vendi, çka rrëzon tezën se shkaku i papunësisë është mungesa e arsimimit të forcës punëtore. Ky është një problem që pritet të bëhet edhe më i mprehtë gjatë viteve në vijim. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Arsimit tregojnë se çdo vit diplomohen 40 mijë të rinj, të cilët i shtohen tregut të punës. Por ekonomia nuk ka kapacitet të krijojë vende pune në këto nivele, çka do të thotë se shumica e tyre do i shtohen armatës së të papunëve të shkolluar.