Golashënuesi i Liverpool, Mohamed Salah, po kalon momentin më të mirë në karrierën e tij, sidomos për sa i përket golave të shënuar. Pasi gjeti katër herë rrugën e rrjetës kundër Watford, ditën e shtunë, sulmuesi ka një mesatare shënimi 0.93 gol/ndeshje, duke qenë në rrugën e duhur për të arritur 35 gola në këtë sezon. Pra, nëse vazhdon të shënojë me këtë mesatare, egjiptiani do të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në harkun e një sezoni me 38 ndeshje në Premier League. Për momentin rekordi i golave të shënuar në harkun e një kampionati ndahet nga Cristiano Ronaldo dhe Luis Suarez. Ronaldo shënoi 31 gola me Manchester United në sezonin 2007-08, aq sa realizoi Luis Suarez me fanellën e Liverpool në sezonin 2013-15. Gjithsesi, me mesataren që ka treguar aktualisht, Salah mund ta arrijë këtë rekord lehtësisht. Ish-sulmuesi i Chelsea dhe Roma llogaritet të shkojë të paktën 35 gola deri në fund të këtij edicioni. Më e vështirë është që Salah të arrijë rekordin e të gjitha kohërave që mbahet nga Ron Davies, i cili shënoi 37 gola për Southampton në sezonin 1966-67. Ndërsa që kur kampionati anglez quhet Premier League, ata që kanë shënuar më shumë kanë qenë Andy Cole (1993-94) dhe Alan Shearer (1994-95) që kanë shënuar 34 gola, por atëherë kishte 22 skuadra në elitën e futbollit britanik dhe logjikisht katër ndeshje më shumë. Shpejtësia marramendëse e Mo Salah në ndeshjen ndaj Watfortd është krahasuar nga trajneri i tij Jurgen Klopp me atë të një sprintieri në Lojërat Olimpike. Trajneri i Liverpool i thuri elozhe yllit egjiptian pasi shënoi katër gola dhe dha një asist në fitoren 5-0 ndaj Watford.
Salah vazhdon të jetë zbulimi i sezonit në Premier League, duke terrorizuar mbrojtjet me shpejtësinë e tij dhe aftësinë për të shënuar në çdo moment. “Ai bënte çdo sprint sikur të ishte në finalen e 100 metrave në Lojërat Olimpike”. “Ajo që dua të them është se skuadra duhet të adaptohet te forcat që ka. Askush nuk i thotë Salah të bëjë diçka tjetër. Por momentin e vetmja gjë që mund t’i thuash atij është të vazhdojë kështu”. “Te Roma ai luante më në krah, pasi kishin një qendërsulmues shumë dominues si Dzeko. Askush nuk mund ta dinte se ai mund të luante si sulmues. E mësuam hap pas hapi. Nuk e dinim se ai ishte në gjendje të luante në qendër”. Kontributi i Salah bëri që Liverpool tani të ngjitet në vendin e tretë të renditjes së Premier League.