Shkodra në prag katastrofe nga përmbytjet, uji vërshon nëpër rrugë

Situata e përmbytjeve në Bashkinë e Shkodrës sa vjen dhe përkeqësohet më shumë. Problematik është shfaqur sot edhe segmeti rrugor Shkodër-Velipojë. Prania e madhe e ujit ka bllokuar hyrjen e rrugës së Dajçit, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve, transportin e arsimtareve në shkolla dhe stafit shëndetësor.
Ky i fundit ka hyrë në fshati Dajç me anë të automjeteve të larta të Ushtrisë. Ndërkohë, situata është duke precipituar me shpejtësi.
Situata më e rënduar nga përmbytjet mbetet ajo në zonën e NënShkodrës. Një pjesë e banorëve në këtë zonë, edhe para se të rikthehej shiu ishin nën pushtetin e ujit si pasojë e shkarkimeve të hidrocentraleve të ngritura në Kaskadën e Drinit.
Reshjet kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në orët e pasdites së të dielës dhe të së hënës zgjidhja për qindra familje është vetëm braktisja e shtëpive dhe pronave të tyre e zhvendosja në zonat e sigurta.
Vetëm gjatë ditës së hënë, janë zhvendosur 34 familje, ndërkohë që përparësi i është dhënë edhe zhvendosjes së bagëtive në zonat e prekura nga uji.

Në fshatin Obot, kalimi bëhet vetëm me varka. Në këtë njësi janë përmbytur mbi 900 hektarë tokë dhe 920 të tjera në Njësinë Bërdicë. Në Gur të Zi ka probleme me rrëshkitjet e tokës si pasojë e reshjeve. Dëmet e shkaktuara tek fermerët janë të mëdha.
Ndërkohë, vetëm në fshatrat Shirq, Mushan dhe Darragjat raportohet për të paktën 36 familje totalisht të izoluara nga uji. Është përmbytur gjithashtu edhe kampi i romëve pranë Prokurorisë së Shkodrës dhe raportohet se Bashkia ka ndërhyrë, duke strehuar fëmijët në qendrën komunitare numër 4.
Dita e hënë ka nisur me reshje shiu në gjithë territorin e Bashkisë së Shkodrës. Në Njësitë Administrative të përmbytura situata vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale e përmbytur ka arritur mbi 2920 ha.
Një numër i madh banesash janë të izoluara nga uji, ndërkohë ka nevojë për furnizim me ujë të pijshëm dhe bazë ushqimore për bagëtitë.
Bashkia Shkodër ka ripërsëritur kërkesën për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës, pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.
Bashkia nënvizon se në këto zona rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.

Oboti i pushtuar nga uji
Në fshatin Obot, varka vazhdon të mbetet i vetmi mjet për të depërtuar në fshat. Niveli i ujit është rritur rreth 50 cm. Ka një përkeqësim të ndjeshëm të situatës si pasojë e reshjeve intensive që kanë përfshirë territorin 24 orët e fundit, por edhe rritjes së shkarkimeve të HEC-ve.
Mësohet se shkarkime plus prodhime me 5 agregatë nga Vau i Dejës shkojnë në total 1800 metër kub në sekondë. Flasim për një sipërfaqe të përmbytur që shkon në rreth 3000 hektarë, ka prezencë uji në disa banesa.
Harta sa vjen e zgjerohet si pasojë e motit, por edhe prurjeve të shtuara jo vetëm nga kaskada e Drinit, por edhe Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna.
Nga Rezervat e Shtetit kanë mbërritur edhe 100 shtretërit e parë dhe 18 çadra që janë vënë në dispozicion të Bashkisë së Shkodrës në rast se do të lindë nevoja për të evakuuar familje nga këto njësi administrative.
Ka pasur probleme për sa i përket sigurimit të ushqimit për gjënë e gjallë, ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.
Një situatë që sipas parashikimeve të IGJEUM, por edhe raportimeve të mediave të Malit të Zi për shkak të prurjeve të shtuara në këtë territor, kryesisht në Liqenin e Shkodrës mund të kemi në vijim një përkeqësim të situatës dhe dalje të ujit edhe në territore të tjera.
Pritet që në Anën e Malit në orët e pasdrekës të lindë nevoja për evakuimet e para të familjeve, pasi uji disa banesave u është afruar deri në shkallët e para.

Myftiu i Shkodrës, apel Qeverisë: Situata është kritike
Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari i ka drejtuar një apel qeverisë që të ndërhyjë, pasi situata me përmbytjet është kritike. Myftiu e ka vlerësuar si mungesë përgjegjësie qëndrimin e mbajtur nga institucionet qendrore në vend lidhur më përmbytjet.
Myftinia është në kontakt me imamët në çdo njësi administrative me qëllim që të ndihmojë familjet në rast emeregjence. Xhamia e plumbit prej javësh është jashtë funksionit të saj, ku besimtaret nuk kanë mundur që të kryejnë faljen.
Ndërkohë, deputeti i Shkodrës, Romeo Gurakuqi, ka shfrytëzuar mbledhjen e Komisionit të Medias për të përsëritur kërkesën e vazhdueshme të Bashkisë së Shkodrës për shpalljen e gjendjes së emergjencës në njësitë administrative të prekura nga përmbytjet.
Sipas Gurakuqit, shpallja e emergjencës është e domosdoshme, pasi mungojnë mjetet për t’i bërë ballë situatës.
Situata në orët në vijim pritet të përkeqësohet për shkak edhe të prurjeve të shtuara jo vetëm nga kaskada e Drinit, por edhe Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna.

Presidenti Meta i shqetësuar, dërgon ekipin në terren
Presidenti i Republikës, Ilir Meta është duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e vështirë të përmbytjeve të krijuar si pasojë e motit të keq, veçanërisht në Qarkun e Shkodrës.
Kreu i shtetit dërgoi dje në mbrëmje në këto zona një ekip të Kabinetit të tij të përbërë nga Këshilltari për Mbrojtjen, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj dhe ai për Çështjet Ligjore, Arbër Bashkurti.
Ekipi i dërguar nga Presidenti Meta u takua me Prefektin e Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja, kryebashkiaken Voltana Ademi, kreun e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi si edhe trupa të Forcave të Armatosura të angazhuar në terren për kryetarë të komunave të zonave të përmbytura. “Në emër të Presidentit Meta, ju përcjellim të gjithë solidaritetin njerëzor dhe institucional në përballimin e kësaj situate të rëndë duke apeluar angahzim maksimal për sigurën e jetës dhe të pronës”, u shprehën këshilltarët e Metës. Ata panë nga afër situatën problematike që ka krijuar moti i keq në Qarkun e Shkodrës, ku sipas të dhënave paraprake raportohet se rreth 3700 ha tokë është e përmbytur, kryesisht në zonat Dajç dhe Ana e Malit.

2b62408c 9ebe 4ebd a704 602984d28bd3

Artikulli paraprakE thirrën në emër dhe e vranë te oborri i vilës, detajet e ekzekutimit të biznesmenit
Artikulli tjetërVjedhje masive me faturat e ujit në Durrës, qytetarët denoncojnë tek Berisha