Esli Kosiqi, 32 vjeç nga Maqellara e Dibrës është ekzekutuar mbrëmjen e vonë të së hënës në derën e shtëpisë së tij. Kosiqi sapo ishte kthyer nga Maqedonia dhe po parkonte makinën në oborrin e vilës së tij kur u qëllua për vdekje me tre plumba pistolete. Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe policia ende nuk i ka identifikuar. Nuk ka ende të dhëna nëse 32 vjeçari ka patur konflikte. Ajo që dihet është se merrej me biznes dhe bashkë me vëllezërit kanë ndërtuar një hotel në zonën e llixhave të Dibrës. Ai ishte baba i tre fëmijëve.
Autorët besohet se kanë qenë dy. Ata e kanë thirrur në emër viktimën dhe e kanë vrarë në oborrin e vilës së tij, me tre plumba në kraharor. Viktima është Elsi Kosiqi.
Shtëpia e tij, një vilë tre katëshe ndodhet në qendër të Maqellarës, buzë rrugës kryesore. Sipas policisë autorët kanë lënë disa gjurmë në vendin e ngjarjes, çka mund të ndihmojë grupin hetimor në zbardhjen e krimit dhe identifikimin e autorëve.
Nga të dhënat e para, thuhet se Kosiqi sapo ishte kthyer nga një udhëtim i shkurtër në Maqedoni. Ai kishte parkuar makinën dhe po mbyllte portën e shtëpisë. Autorët që e kanë ndjekur nga pas e kanë thirrur në emër dhe e kanë qëlluar për vdekje.
Policia ka shoqëruar disa persona, midis tyre edhe nga ata që ishin në konflikt me viktimën. Por ende nuk ka një të dyshuar për krimin. Burimet për ”Abc” thanë se Elsi Kosiqi kishte jetuar për vite në Itali dhe me paratë e emigracionit, bashkë me vëllezërit kishin ngritur një hotel në zonën e llixhave në Dibër.