Shqipëria ka pagat më të ulta në rajon me një diferencë realisht të frikshme edhe me fqinjët më të afërt. Kjo vlen edhe në rast se krahasimi bëhet në bazë të pagës mesatare mujore të shprehur në fuqi blerëse. Banka Botërore së bashku me Institutin e Vjenës për studime ekonomike, ka publikuar një raport mjaft të rëndësishëm për trendet e tregut të punës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky raport përmban të dhëna mjaft të vlefshme për të kuptuar realisht se si qëndron e vërteta, por edhe për të krahasuar vendet me njëra-tjetrën. Sa i përket pagave, që janë burimi kryesor i të ardhurave, i konvertuar në një vlerë që tregon se çfarë mund të blejnë realisht me këto para, tregon se shqiptarët e Shqipërisë kanë një pagë mujore sa 68.6% e shqiptarëve të Kosovës që janë të dytët në listën e shteteve të rajonit me pagën më të ulët. Shtetasit e Malit të Zi janë ata që kanë pagat më të larta, dhe në Shqipëri pagat janë sa 50.8% e pagës së tyre të shprehur në fuqi blerëse. Në krahasim me austriakët ndërkohë, shqiptarët e Shqipërisë kanë një pagë 27% më të ulët për të konsumuar në vendin e tyre. Edhe në terma absolutë, me një pagë në 334 euro në muaj, shqiptarët e Shqipërisë janë ata me pagën më të ulët, ndërkohë që më pas ndjekin serbët. Të dhënat për pagat i referohen vitit 2016 thotë Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës.
Punësimi part-time
Ky lloj punësimi, sipas Bankës Botërore, ishte më pak i përhapur në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zënë 11% në vitin 2017. “Shqipëria ishte e vetmja që raportoi një shifër të lartë edhe pse me tendencë tkurrjeje për të punësuarit part-time, që zënë 20% të punësimit total. Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina renditen më pas me 10.6% dhe 9%. Në vendet e tjera të rajonit punësimi part-time ishte 5-6%. Kjo është e njëjtë me vendet e tjera pjesë e BE-së që i janë bashkuar këtij komuniteti mes 2004-2013”, thuhet në raport. Vendet e Ballkanit Perëndimor po vuajnë nga largimi i trurit, pasi pjesa që po emigron është pikërisht pjesa me arsim të lartë. BB vëren se është rritur pjesa e popullsisë që ka emigruar në raport me popullsinë totale, një raport që po thellohet duke zënë më shumë se 30%. Saktësisht, Shqipëria është e dyta në këtë renditje me 1.05 milionë emigrantë.