Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do minitorohet nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur” e George Soros. Nesër do të zhvillohet seanca e parë dëgjimore për një prej subjekteve të vettingut në sallën e Pallatit të Kongreseve. Njoftimi është bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), në faqen e tij zyrtare dhe sipas tij, kjo bëhet për të garantuar më shumë transparencë për publikun. Por kërkesa për të bërë seancat dëgjimore në salla të hapura e të mëdha ka ardhur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
“Gjithashtu, është pozitiv fakti se KPK ka marrë në konsideratë rekomandimin e KShH-së për zhvillimin e këtyre seancave në salla të mëdha, duke mundësuar praninë e një publiku të gjerë për t’i ndjekur. Në vlerësimin tonë, kjo do të garantojë respektimin e parimit të procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të subjektit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftimin e KShH-së.
Fillimisht seancat dëgjimore ishte përcaktuar që të bëheshin në sallat ekzistuese, por Komiteti Shqiptar i Helsinkit i është drejtuar me një kërkesë zyrtare, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke i kërkuar që këto seanca dëgjimore të bëheshin në salla të mëdha, ku të merrte pjesë një publik i gjerë.
“Në datën 14 shkurt 2018, KShH ju drejtua me shkresë zyrtare KPK-së dhe për dijeni Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke evidentuar faktin se sallat ekzistuese pranë këtij Komisioni nuk mundësojnë pjesëmarrjen e përshtatshme të publikut dhe rrjedhimisht krijojnë vështirësi për respektimin e parimit të publicitetit, element thelbësor i procesit të rregullt. Një sallë gjykimi me përmasa të vogla dhe e papërshtatshme mund të përdoret nga palët si ngërç ligjor praktik për ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e procesit, pasi mund të shkelë të drejtat themelore dhe parimin e gjykimit të drejtë”.
Kërkesa e KShH-së në dukje nuk ka asgjë të keqe, pasi bëhet për të ofruar më shumë transparencë. Por në fund të kërkesës bëhet e ditur se KShH po bashkëpunon me Fondacionin “Shoqëria e Hapur’’ të George Soros për monitorimin e vettingut të gjytarëve dhe prokurorëve, gjë e cila e kompromenton shumë këtë proces.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), me mbështetje të Fondacionit “Shoqëria e Hapur” për Shqipërinë është angazhuar në monitorimin e një prej proceseve më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi, atij të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndaj në këtë vazhdë u shënua arritja e disajtë, ajo e marrjes në konsideratë të sugjerimit të KShH-së për krijimin e kushteve të përshtatshme për të garantuar një proces transparent dhe publik”.
Fondacioni “Shoqëria e Hapur” i Soros ka marrë pjesë aktive në procesin e Reformës në Drejtësi dhe nëpërmjet mekanizmave të kontrolluara prej tij ka ushtruar ndikim të thellë gjatë procesit, por edhe pas tij në formimin e institucioneve të Reformës në Drejtësi.
Reforma në Drejtësi është konceptuar, organizuar dhe zbatuar nga Fondacioni ‘Soros’. Një paketë me mijëra e-maile dhe dokumente të brendshme të këtij fondacioni u publikuan në muajt gusht-shtator 2016.
Këto dokumente zbuluan se, rrjeti ‘Soros’ kishte hartuar një strategji të detajuar mbi Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe strategjia ishte gati që prej vitit 2013.
Në një deklaratë të dhjetorit 2015, kreu i grupit për Reformën në Drejtësi, Xhafaj, i shprehte mirënjohjen e thellë kreut të fondacionit në Shqipëri, Andri Dobrushi, duke lënë të kuptohet se, nëse nuk do ishte për këtë fondacion, askush nuk do e kishte marrë mundimin për të bërë Reformë në Drejtësi dhe askush nuk do kishte shpenzuar lekë për këtë proces.
“Një falenderim mirënjohjeje dua ti shpreh Fondacionit “Shoqëria e Hapur” për Shqipërinë – Soros, Andit dhe ekipit të tij të palodhur për suportin e fortë teknik e financiar, përcaktues për ecurinë e mbarë të procesit dhe padyshim nismëtar për nevojën për një projekt ndryshimesh kushtetuese në vend”, u shpreh asokohe z.Xhafaj.
Fondacioni Soros ishte një hap para qeverisë dhe mazhorancës për ndryshime Kushtetuese që duheshin si dhe për draftin e reformës. Madje dhe përfaqësuesi kryesor i ekipit shqiptar në Komisionin e Venecias, Kristaq Traja, rezulton si i dërguar ekskluziv i këtij fondacioni pranë grupit të reformës.
Në fjalimin e rastit për fundvitin, z.Xhafaj ka përmendur më pas dhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë proces, por bie në sy një moment kur ai ka komentuar edhe përgjigjen e Komisionit të Venecias për draftin e përgatitur nga grupi i tij.
Nëse i bën një përmbledhje të shkurtër këtyre pikave të fjalimit të z.Xhafaj, del se ai ka njohur Fondacionin Soros si nismëtar të Reformës.
Ndikimi i Soros tek Reforma në Drejtësi
Ndikimi dhe përfshirja e Fondacionit “Shoqëria e Hapur” të Soros është pohuar edhe nga kreu i saj, Andi Dobrushi, i cili në janar të 2017-ës pohonte:
“Kemi pasur përfshirje që në momentin e parë, kemi mbështetur financiarisht bashkëpunimin me ambasadën amerikane dhe partnerët evropianë. Mbështetja që fondacioni i jep procesit, e ritheksoj, procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. Ne në fakt nuk jemi të jashtëm, jemi të brendshëm, stafi është shqiptar, kemi pasur bashkëpunim me ekspertët më të mirë të vendit, kemi patur një ekspert, ish-gjyqtar i Strasburgut që ka qenë pjesë direkte e procesit, (Kristaq Traja) ndërkohë që pjesa tjetër thjesht i jemi përgjigjur komisionit parlamentar të reformës”. /Hashtag.al