KE: Burgjet shqiptare të mbipopulluara, 108 të burgosur për 100 vende

Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të mbipopullimit të burgjeve në Europë me 108 të burgosur për 100 vende, sipas Statistikave Vjetore Penale të Këshillit të Europës (SPACE) për vitin 2016 të botuar ditën e martë.
Sipas këtij sondazhi, burgjet europiane janë mesatarisht afër kapacitetit të plotë, me të burgosurit që zënë pothuajse 9 nga 10 vende të disponueshme.
Shkalla e burgosjes u rrit nga 115.7 në 117.1 të burgosur për 100 000 banorë nga viti 2015 në vitin 2016. Kjo normë më parë kishte shënuar rënie çdo vit që nga viti 2012, kur arrinte edhe normën më të lartë në 125.6 të burgosur për 100 mijë banorë.
Ky tregues ndikohet kryesisht nga afati i sanksioneve dhe masave të imponuara. Në këtë perspektivë, kohëzgjatja mesatare e paraburgimit, e cila mund të shihet si një tregues i mënyrës së zbatimit të ligjit penal, ka ardhur duke u rritur deri në 8.5 muaj.

Vendet ku shkalla e burgosjes u rrit më së shumti ishin Bullgaria (10.8%), Turqia (9.5%), Republika Çeke (7.6%), Serbia (6.6%) dhe Danimarka (5.5%).
Ndërkohë, vendet ku shënoi rënie ishin Islanda (15.9%), Irlanda e Veriut (11.8), Lituania (11.1%), Belgjika (10.1%) dhe Gjeorgjia (6.7%).
Mbipopullimi mbeti një problem serioz edhe për shumë vende të tjera. Trembëdhjetë nga 47 administratat e burgjeve raportuan se kishin më shumë të burgosur sesa vende për t’i strehuar ata.
Nivelet më të larta të mbipopullimit u evidentuan po ashtu në Maqedoni (132 të burgosur për 100 vende), Hungari (132), Qipro (127), Belgjikë (120), Francë (117), Portugali (109) Itali (109), Serbi (109), Republika Çeke (108), Rumani (106) dhe Turqia (103).
Rezultatet e anketës SPACE të realizuar nga Universiteti i Lozanës për Këshillin Europian u bazuan në të dhënat e 47 administratave të burgjeve (nga 52 të tilla) të shteteve anëtare të KE-së.

Artikulli paraprakFMN: Qeveria do përgjigjet për koncesionet
Artikulli tjetërFlet avokati: Ja pse Fran Frokaj është i pafajshëm