Rama ndryshon procedurat për privatizimin dhe shitjen e tokave shtetërore

Ndryshojnë procedurat për privatizimin dhe shitjen e tokave shtetërore. Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimin e kritereve të vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes. Qeveria vendosi që kësaj procedure t’i nënshtrohen të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore, mjetet e xhiros në administrim apo në ruajtje të institucioneve, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital tërësisht shtetëror, për të cilat është dhënë miratimi i ministrit përgjegjës për ekonominë për fillimin e procedurave të privatizimit apo të transformimit në shoqëri tregtare.
Në ndryshimet e fundit ligjore të botuara dje në Fletoren Zyrtare mësohet, se kërkesa duhet të shqyrtohet brenda 30 ditë nga marrja e saj. “Institucionet qendrore dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore dërgojnë kërkesat e tyre për privatizimin e ndërmarrjeve apo të institucioneve që kanë në varësi administrative ose në pronësi, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim, sipas kërkesave të përmendura më sipër. Në rast se ministria përgjegjëse për ekonominë u kërkon institucioneve qendrore apo organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore kërkesën për prononcim privatizimi për pasuritë e ndërmarrjeve apo të institucioneve që kanë në varësi administrative, këto institucione janë të detyruara që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, të dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive”, thuhet në VKM-në.

Procedura
Në vendim është përcaktuar që për dokumentacionin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit ndiqet kjo procedurë: a) I dërgohet ministrit përgjegjës për ekonominë: i) për objektet ndërtimore, linjat e prodhimit/shërbimit, ku përcaktohen vlera e objektit, sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt dhe ajo funksionale; ii) për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit, inventarin ekonomik, mjetet e xhiros etj., kur asetet do të shiten të veçanta. Fletorja Zyrtare Viti 2018 – Numri 37.

Vendimmarrja
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi kontrollon nëse ky dokumentacion ka kaluar në strukturat përkatëse, ia përcjell atë Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës, të ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë, për verifikimin, konfirmimin dhe transparencën e procedurës së dokumentacionit të privatizimit të pronës shtetërore, që dërgohet për shitje. Ndërkohë që Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës, i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë ka në përbërje: zëvendësministrin e Financave dhe Ekonomisë, kryetar; një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë, MFE, anëtar; dy përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike dhe të Shërbimeve Mbështetëse, MFE, anëtar dhe një përfaqësues të Drejtorisë së Auditimit, MFE, anëtar.

Shqyrtimi
Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës i rekomandon ministrit përgjegjës për ekonominë vijimin e procedurës së privatizimit nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, nëse ekziston dokumentacioni i kërkuar ligjor dhe ka kaluar në të gjitha strukturat e parashikuara në këtë vendim. Në rast të kundërt, Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës kërkon plotësimin e dokumentacionit. Për kontratat e shitjes të deklaruara të pavlefshme me vendim gjykate të formës së prerë, duke kthyer palët në gjendjen e mëparshme, procedurat e rivlerësimit të objektit bashkë me truallin do të bëhen sipas kreut II të këtij vendimi dhe legjislacionit në fuqi për privatizimin.

Artikulli paraprakBashkëshorti i deputetes së PS-së presion punonjësve
Artikulli tjetërPo Xhafa a duhet të hetohet për deklaratat kontradiktore për kokainën?