Një protestë e turpshme u organizua pasditen e djeshme në Kavajë me urdhër të Ramës me qëllim shprehjen e mbështetjes ndaj Elvis Rroshit, pas dorëheqjes së tij për shkak të rekordeve kriminale. Një grup militantësh socialistë, pjesë e administratës publike u thirrën dje me detyrim nga Gentjan Daja, Kryetari socialist i emëruar nga Rama për degën e Kavajës. Tubimi kishte për qëllim t’i jepte mbështetje Rroshit. Gjatë kësaj proteste turpi në të cilën në fakt merrnin pjesë vetëm një grusht njerëzisht të urdhëruar u kërkua dënimi i ligjit për dekriminalizimin.
Kjo është mënyra se si Rama po kërkon të kthejë dhimbjen në forcë dhe në të njëjtën kohë është protesta e parë në histori që një kryetar qeverie bën kundër ndëshkimit të të dënuarve nga institucionet.
Kryesocialisti Daja në një moment e ka mbajtur mbi qafë ish-kryebashkiakun Elvis Rroshi si formë lartësimi dhe mbështetje për atë që pranoi publikisht që përveç krimeve të tjera ai edhe ka përdhunuar femra dhe për këtë është dënuar. Por, ndërsa ish-kryebashkiaku socialist po përballet me të shkuarën e tij kriminale, një tjetër figurë e socialistëve në Kavajë e pikërisht kryesocialisti atje, ka një “karriere” të ngjashme me Rroshin.
Sipas mediave italiane, Gentian Daja është arrestuar në vitin 2004 nga Policia e Udines për shpërndarje droge, ndërsa në momentin e arrestimit atij i ishin bllokuar 343 gramë kokainë. Pikërisht ky personazh ishte ideatori dhe promotori i tubimit të zhvilluar këtë mbrëmje në Kavajë për të treguar mbështetje për ish-kryebashkiakun përdhunues, ndërsa ishte ai që ulëriste më shumë se të tjerët parullën “O Elvis o hero ty Kavaja fort të do”.
Në një reagim të saj Partia Demorkatike e cilësoi të turpshëm tubimin, ndërsa deklaroi se Rama ka poshtëruar qytetarët e Kavajës me personat e inkriminuar që ka emëruar në strukturat drejtuese të partisë si dhe Bashkisë. Përmes një deklarate pasdite, PD akuzoi konkretisht edhe Dajën, për të cilin theksoi se është arrestuar në Itali për trafik droge. “Demonstratën do ta udhëheqë Gentjan Daja, i dënuar për trafik droge, ushtar i Roshit, të cilin Rama e ka caktuar në krye të PS-së së Kavajës. I poshtëroi duke ua vënë Roshin kryetar bashkie, i poshtëroi, duke u vënë kryetar partie të dënuarin për drogë, po i poshtëron edhe më shumë sot, duke i kërkuar të mblidhen në shesh në mbrojtje të përdhunuesit”, deklaroi PD. Por nëse bën një kërkim në Google, emri i Gentjan Dajës figuron në raportimet e agjensisë italiane të lajmeve, ANSA. Ai është kapur me drogë nga policia italiane bashkë me disa persona të tjerë, Ermal Rustaj dhe Julian Hoxhaj. Atyre u është gjetur 343 gram kokainë.
Rama nxjerr deputetët e PS për mediat: Roshi është i pafajshëm
Partia Socialiste ka reaguar dje pas dorëheqjes së kryebashkiakut të saj në Kavajë, Elvis Rroshi nëpërmjet deputetes Blerina Gjylameti. Gjylameti tha para mediave se, dënimi i dikurshëm i Roshit ishte një mister dhe “pavarësisht se ai e konsideron veten të pafajshëm, kryetari u tërhoq pasi në familjen tonë jemi të gjithë të barabartë para ligjit. Ne që e kemi mbrojtur z.Rroshi se në fund të fundit ai është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, sot themi se pafajësinë e tij duhet ta provojë. Dhe ne nuk na mbetet përveçse ta respektojmë ligjin dhe ky qëndrim tregon moralin e forcës sonë politike. As PS dhe as Edi Rama nuk janë përgjegjës për gabimet që bëjnë përfaqësitë e partive”, theksoi Gjylameti.
Daja, drejtori i dënuar në Itali për trafik droge
Sipas gazetës “Il Fruili.it”, në një artikull të botuar në datën 19 qershor 2010, thekson se policia italiane ka zhvilluar një nga operacionet më të rëndësishme të antidrogës. Në kuadër të aksionit për antidrogë, policia italiane arriti të arrestonte tre shtetas shqiptarë të identifikuar si Gentian Daja, 28 vjeç, Julian Hoxhaj, 23 vjeç, si dhe Ermal Rustaj, 22 vjeç. Të tri këta shtetas ishin implikuar në çështje me rëndësi kombëtare si kontrabanda e kokainës, ku këta shtetas u kapën me 350 gram kokainë, e cila mbante vlerën prej 30 mijë eurosh. Sipas kapitenit Pasquariello, alibia e tri shtetasve shqiptarë qëndronte në përdorimin e tepruar të alkoolit dhe për këtë arsye është detyruar të ushtrojë një kontroll më të detajuar në vilën e tyre buzë detit, duke investiguar me shumë kujdes lëvizjet e tyre gjatë gjithë ditës, ushqimet dhe pijet e konsumuara, si dhe volumin e muzikës, të cilën e përdornin për të mbuluar aktivitetin. Madje në një konferencë për shtyp, kapiteni i policisë pas arrestimit të shtetasve shqiptarë, kishte bërë me dije publikun në lidhje me manovrat që përdorin këta persona për të mbuluar gjurmët. Gentian Daja aktualisht mban postin e kryetarit të Partisë Socialiste të qytetit të Kavajës dhe atë të drejtorit Rajonal të Drejtorisë të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë. A mundet që kur qindra njerëz janë flakur në rrugë të papunë një person me precedentë të tillë kriminalë të mbajë dy poste të lakmueshme për çdo person? Kush e ka bërë verifikimin e figurës së pastërtisë? A kanë kritere të punësimit në administratë dhe kush është rregullatori i tyre? Ngjarje të tilla janë të paprecedenta në llojin e vet, por tashmë pesona me precedentë të tillë do të kalojnë në sitën e ligjit për dekriminalizimin, duke u larguar.