Ushqimi dhe pijet që duhet të konsumojnë personat astmatikë

Astma është një sëmundje kronike. Ajo karakterizohet nga sulme të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllimës gjatë saj. Tek individët e sëmurë, simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë apo javë, kurse për disa njerëz ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës.

Format e astmës
Ekzistojnë dy forma të astmës: astma alergjike është forma më e zakonshme (90% e të gjitha rasteve) dhe zakonisht zhvillohet në fëmijëri. Përafërsisht 80% e fëmijëve me astmë gjithashtu vuajnë nga një alergji. Zakonisht pacientët kanë histori familjare për alergji apo kanë të pranishme dhe të tjera, si alergji e hundës ose ekzemë. Astma alergjike shpesh në moshën e rritur mund të kalojë, por megjithatë në 75% të rasteve rishfaqet më vonë.
Forma e dytë, jo alergjike, haset në rreth 10% të rasteve. Kjo zakonisht zhvillohet pas moshës 30 vjeç dhe zakonisht nuk është e lidhur me shkaqe alergjike. Më shpesh preken gratë, të cilat bëjnë infeksione të traktit respirator.

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e astmës
Gati gjysma e të rriturve që kanë astmë vuajnë edhe nga alergjia, e cila në më të shumtën e rasteve e ka origjinën nga fëmijëria.
Te pacientët, ku astma shfaqet në moshë të madhe, zakonisht faktori alergji nuk luan ndonjë rol kryesor.

Disa nga faktorët kryesorë që shkaktojnë alergjitë janë

– Pluhuri i shtëpisë, i cili zakonisht përmban enzima me alergjenë të fuqishëm.
Pikërisht ky është edhe shkaku kryesor i alergjive në ambientet e shtëpisë.
– Kafshët shtëpiake.
– Poleni. Një krizë astme nga alergjia e shkaktuar prej polenit ka më shumë të ngjarë që të ndodhë gjatë ndryshimeve dhe aktiviteteve drastike atmosferike, të tilla si rrufetë.
– Myku. Sipas një studimi të vitit 2002, myku mund të shkaktojë krizat më të rënda të alergjisë te personat e rritur, në krahasim me alergjenët e tjerë.
– Kërpudhat. Furrtarja e zezë. Është një nga shkaqet kryesore të astmës dhe mund të shkaktojë probleme të rënda në funksionimin e mushkërive edhe te personat që nuk kanë probleme astmatike.
– Karburantet. Disa lloje karburantesh mund të jenë shkaqe alergjish. Mendohet se lëndët djegëse të përpunuara, të tilla si vajguri, për shembull, janë shkaqe alergjish.

Astma dhe dieta juaj
Personat që konsumojnë rregullisht peshk dhe ushqime me bazë gruri janë të mbrojtur nga rreziku i shfaqjes së astmës. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip studiuesish holandezë të “National Institute of Public Health and the Environment”, të cilët kanë analizuar lidhjen që ekziston mes shfaqjes së astmës dhe sjelljeve ushqimore të 598 fëmijëve me moshë nga 8 deri 13 vjeç.
Pas analizimit të të dhënave të marra nga prindërit ka rezultuar, se nuk ekzistonte ndonjë lidhje e dukshme mes shfaqjes së astmës dhe konsumimit të disa ushqimeve si: fruta, perime dhe bulmetra, përveç peshkut dhe ushqimeve me bazë gruri. H. A. Smit, i cili ka drejtuar ekipin që punoi për këtë studim, ka shpjeguar për revistën “Thorax” se vështirësitë në frymëmarrje ishin verifikuar në gati 19.4% të fëmijëve që konsumonin rregullisht këto dy lloj ushqimesh.
Me fjalë të tjera, konsumimi i shpeshtë dhe i rregullt i ushqimeve me bazë gruri dhe peshku është i lidhur me uljen e rrezikut për të shfaqur astmë dhe më konkretisht ky rrezik ulet nga 54% deri në 66%”, ka përfunduar studiuesi holandez.
Ushqimet me yndyrë, me sheqer dhe ushqime të tjera të kësaj natyre shtojnë numrin e të prekurve nga astma, për shkak të stimulimit të sistemit imunitar.
Në disa raste këto ushqime mund të anulojnë edhe efektet e medikamenteve, të cilat përdoren për të mposhtur këtë shqetësim.
Ky fakt konfirmohet nga një studim australian, i cili ka nxjerrë në pah lidhjen mes dietës ushqimore të një njeriu dhe simptomat e kësaj sëmundje. Ndaj ekspertët këshillojnë një regjim me në bazë frutat dhe perimet.
Studimi i Universitetit të Newcastle në Australi tregon se personat që konsumojnë shpesh ushqime me yndyrna shtazore rrezikojnë më shumë për t’u prekur nga astma, madje këto ushqime pengojnë edhe veprimin e medikamenteve.

Një dietë e shëndetshme dhe e balancuar

Nëse keni astmë, duhet të synoni të mbani një dietë të shëndetshme, duke ngrënë një gamë me ushqime të pasura. Mbajtja e trupit në formë dhe të mos qenit mbipeshë, do të ndihmojë në frymëmarrjen tuaj.
Me përjashtim të rastit kur doktori, specialisti i alergjive apo dietologu, ju ka porositur në mënyrë të veçantë për të shmangur ushqime të caktuara, ndiqni një dietë të shëndetshme, siç është rekomanduar për të gjithë njerëzit alergjikë nga autoritetet shëndetësore:
Kufizoni yndyrën dhe sheqerin;
Hani shumë bukë dhe drithëra, mundësisht bukën e zezë (me drithë të papastruar);
Përfshini peshk, mish pa dhjamë, arra, bishtaja dhe vezë në dietën tuaj;
Hani shumë fruta dhe perime;
Pini shumë ujë;

Ushqimet dhe pijet
Ushqimi apo pijet nuk janë shkaktarë të zakonshëm të astmës. Një reagim i pakëndshëm ushqimor, ka më shumë të ngjarë të përfshijë lëkurën ose sistemin e tretjes, sesa mushkëritë tuaja. Një reagim i keq ushqimor, mund të shkaktohet ose nga një alergji ushqimore e vërtetë ose më shpesh, nga intoleranca ushqimore.

Mjekimi
Masat parandaluese të sulmeve astmatike përfshijnë mënjanimin prej të gjithë shkaktuesve të mundshëm. Lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet.

Bimët
Një bimë mjaft frytdhënëse në luftën kundër kollës së shkaktuar nga mushkëritë është lulëkuqja. Nga kjo bimë përdoren vetëm petalet e saj. Çaji i lulëkuqes pihet i ëmbëlsuar me mjaltë.

Çokollata
Merita i takon teobrominës, një substancë që ndodhet në farat e kakaos, e cila ka rezultuar më efikase se kodeina, një nga qetësuesit më të mëdhenj të kollës kronike.

Problemet
Të sëmurët astmatikë vuajnë zakonisht në mbrëmje, si dhe gjatë natës. Vuajtja më e theksuar nga astma është te njerëzit me gjoks të ngushtë ose deformime, nga të cilat te këta njerëz shkaktohen edhe shtrembërime të shpinës.

Këshilla parandaluese
– Qëndroni në vende të ajrosura mirë.
– Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit.
– Eliminoni ambientet e paajrosura mirë dhe me myk.
– Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç.
– Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve.
– Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve.
– Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjenë.
– Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve.
– Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani.
– Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan.
– Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikëri i rekomandimeve të tij.

Artikulli paraprakFasonët, 27 milionë euro humbje në vit nga zhvlerësimi i euros
Artikulli tjetërBabëzia e tenderave, 500 mijë USD për konsulencë, financat hapin tenderin