Babëzia e tenderave, 500 mijë USD për konsulencë, financat hapin tenderin

Plot 59.9 milionë lekë apo rreth 500 mijë dollarë do të kushtojë një kontratë konsulencë për hartimin dhe zbatimin e reformave të të bërit biznes. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hapur tenderin, ndërkohë që ofertat do të pranohen deri në datën 5 prill.
Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, objektivi i përgjithshëm i këtij projekti, është përmirësimi i vlerësimit të indikatorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria për krijimin e një mjedisi të favorshëm për të bërit biznes në vend, duke rritur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve dhe përmirësuar në tërësi situatën socio-ekonomike.
Ndërkohë që, qëllimi i ekspertizës do të fokusohet në ofrimin e konsulencës për hartimin dhe zbatimin e reformave të të bërit biznes, si dhe për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve administrative, përgjegjëse për hartimin dhe monitorimin e politikave, në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit.

Praktikisht fondi limit prej 500 mijë dollarësh do të shkojë për konsulencën në ofrimin e rekomandimeve praktike dhe të përshtatshme mbi reformat e të bërit biznes dhe në asistencën për hartimin, zbatimin dhe komunikimin e tyre tek palët e interesuara.
Më konkretisht, shërbimet e konsulencës do të shkojnë në hartimin e një analize të thelluar të kuadrit aktual politik dhe ligjor, si dhe propozimi i nismave, reformave dhe instrumenteve ligjor apo rregullative, që do të lehtësojnë procedurat e të bërit biznes.
Po ashtu, në përfundim të kontratës do të duhet të propozohen reforma konkrete për indikatorët përkatës, si: Hapja e një biznesi, marrja e lejes të ndërtimit, furnizimi me energji, regjistrimi i pasurisë, Marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagesa e taksave, etj.
Gjithashtu, do të duhet të hartohet një plani i ri veprimi afatmesëm si dhe të propozohet një mekanizëm i përshtatshëm dhe i qartë monitorimi, i cili do të vihet në funksion për ndjekjen e ecurisë së çdo aktiviteti apo mase të ndërmarrë në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit.

Artikulli paraprakUshqimi dhe pijet që duhet të konsumojnë personat astmatikë
Artikulli tjetër“Leva” drejt Real Madridit