Shprehja sarkastike popullore “Fshati digjet, k…. krihet’ duket se po i shkon për shtat qëndrimit që kryeministri Edi Rama po mban ndaj fshatrave të Shkodrës që janë përmbytur nga reshjet dhe shkarkimi i hidrocentraleve. Petrit Vasili, kryetari i Grupit të LSI, e ka zhvilluar më tej shprehjen e famshme pa cenuar etikën e politikanit, duke deklaruar se “Shkodra përmbytet, kryeministri krihet”.
“Shkodra po përballet me një situatë shumë të rëndë nga përmbytjet, thekson Vasili. – Kryeministri është fshehur, nuk shkel në Shkodër dhe s’guxon të flasë, por vetëm poston foto në FB, duke përqeshur hallin e madh të njerëzve të mbetur në mëshirë të fatit. Kryeministri këtë qeverinë që si cirk shëtitës e gjezdis në fundjavë nëpër qytete të ndryshme nuk e çon dot në Shkodër që t’u gjendet qytetarëve në këto ditë halli të madh”. Vasili nuk ngurron të sulmojë edhe mediat, duke aluduar për blerjen e tyre nga qeveria në post scriptum, vazhdon:
“Ps. Çudi e madhe edhe me këto televizionet. Në përmbytjet e vitit 2010 – 2011 kishin instaluar studio provizore në Shkodër dhe ishin “live” gjithë ditën. Po tani ç’hall u ka lidhur këmbët dhe sytë që japin lajme nga Shkodra më pak se edhe në ditën më të zakonshme?!” .