“Moligix” është kompania që po ndërton dhe do të mbikëqyrë Sistemin Qendror të Monitorimit Online të lojërave të fatit sipas një kontrate 30-vjeçare lidhur me qeverinë shqiptare. Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 7 qershor 2017, me një kapital total prej 500 mijë lekësh. Aksionerë të saj janë tre kompani, të cilat janë të njohura për publikun nga procesi i garës që parapriu përzgjedhjen e fituesit mbajtur nga Ministria e Financave në fillim të vitit të kaluar. Fitues të koncesionit, sikurse u njoftua, ishin bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten”GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna”& “MC Networking”sh.p.k. Por edhe pse diheshin emrat e kompanive fituese të koncesionit 30-vjeçar, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë detaj mbi peshën që ka njëra apo tjetra brenda kësaj sipërmarrje apo aksionet që zotëron secila. Referuar ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se të paktën 98 për qind e aksioneve janë nën zotërim të Mc Networking, dy kompanitë e tjera “Admiral Sportwetten”GmbH dhe “ATSI Spolka Akcyjna” kanë secila nga një përqindje simbolike prej 1 për qind në aksionet e “Moligox”.
Koncesioni u kundërshtua në Gjykata
Procedura ku Financat shpallën fituese, në mars të 2017 bashkimin e shoqërive “Admiral Sportwetten”GmbH &”ATSI Spolka Akcyjna”& “MC Networking” sh.p.k. për ndërtimin e sistemit online të lojërave të fatit është shoqëruar me kundërshtime në të paktën tre Gjykata. Fillimisht ishte Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive, ajo që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e të paktën tre pikave që sipas saj binin ndesh me Kushtetutën. Por, pavarësisht argumenteve të sjella nga kjo shoqatë, në çështjen e regjistruar më 6 qershor 2017, një ditë para themelimit të kompanisë së përbashkët, Gjykata rrëzoi këtë kërkesë me një vendim që u bë publik në fillim të këtij viti. Edhe operatori i renditur i dyti në garën për Sistemit Online të Monitorimit, bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft”GmbH &”Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk. & “Communication Progress” shpk. ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe më pas në atë të Apelit.
Tarifat e vendosura për monitorim
Në prill të vitit të kaluar ashtu sikurse parashikohej në ligj, qeveria miratoi me një vendim të veçantë tarifat që do të aplikohen nga ana e koncesionarit mbi lojërat e fatit në funksion të shërbimit që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Por cilat janë tarifat që do të aplikojë koncesionari mbi pikat e basteve, kazinotë elektronike dhe Lotarinë Kombëtare. Sipas vendimit, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend do të jetë 0.70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga Shoqata e Shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te koncesionari është 756 mijë euro. Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash. Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa që është parashikuar për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Sipas të dhënave të faqes zyrtare të Lotarisë Kombëtare të llogaritura në korrik 2017 në të gjithë vendin rezultonin rreth 425 njësi që tregojnë lojërat e kësaj kompanie. Kjo do të thotë që çdo njësi do të paguajë në muaj 30 euro dhe në vit 360 euro ndaj koncesionarit. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë 153 mijë euro për sistemin e monitorimit. Duke mbledhur të ardhurat nga të tre segmentet rezulton që koncesionari do të arkëtojë rreth 1.9 milionë euro. Të gjitha llogaritjet nuk kanë të përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.