Mitro ÇELA
Viti 1972. Gazetar në “ZP”. Pranverë. Ngjita shkallët e hotel “Dajti”.
Parakaloj një koridor me tapet vishnjë. Para meje një burrë. Ecte ngandalë.
Ishte Nonda Bulka. E adhuroja. E imitoja. Essetë e tij të shkruara në vitet ’36 janë shkollë për gazetarinë, së bashku me publiçistikën e Nolin dhe Konicën. (Në nëntor të atij viti, Nonda Bulka u nda nga jeta.)
-Profesor! Jam Mitro Çela.
-Nuk të njoh. Mos ma vërë re. Vjen një moshë dhe burri rroit!
-Jam nga Përmeti!
-Gëzohem. Por në kryeqytet ka më shumë përmetarë se tiranas?!
-Jam vëllai i Doktor Polikronit!
-Po folë, mor i uruar! E kemi doktor të fëmijëve. Hipokrati, nuk do ta kishte shkruar “betimi i mjekut”, po të mos kishte njohur një mjek si Polikroni. E di ti që emri Polikron përbëhet nga dy fjalë greke? Poli-Shumë. Kron-vite.
-E di Profesor! Ja vuri emrin mamaja, që të rronte shumë vite.
-Në vitin ’56 a 57 isha në Këlcyrë. Mbarova punë. Do shkoja në Përmet. Dola në buzë të rrugës. Para meje ndaloi një ambulancë.
-Hip profesor! Jam Pilo Çela. Të kam lexuar. A je Profesor Chri-Chri-ja?!
-Ashtu?…Sa fëmijë ke?
-Zbatoj porosinë e partisë. E kam mbushur shtëpinë me kalamanë. Pesë çilimij. Por kam një djalë që do bëhet doktor. E quajnë Polikron.
-Çfarë rasti?! Isha me dekanin e Mjekësisë. Më tha. Një djalë nga Përmeti, do vazhdojë studimet në Bashkimin Sovjetik. E dije?
-Jo. Haberi nuk ka mbërritur në Përmet. Telefoni, ka dy javë që është prishur. I flamosuri.
(Haberi ishte i saktë. Në fillim dolli bursa. Pastaj u bë një korigjim. Studentët e mjekësisë do bënin dy vjet në Tiranë. Tre vjet në Moskë. Por e mori ferra uratën. Në vitin 1960, Enveri u prish me Hrushovin e Bashkimit Sovjetik.)
U ndava nga Profesori në koridor. Futem në bar. Në një tavolinë pinte kafe Qamil Buxheli-humoristi më i madh i kohës. Jo rrallë imitoja stilin e tij nga librin: “Një ndodhi në plazh”.
Në një tavolinë tjetër, me cigare në buzë, dallova Petro Markon. E njihja nga romani “Hastalavista”.
I vetëm në një tavolinë qëndronte Ismail Kadareja. Më ftoi për kafe. Ishim takuar në redaksinë e “ZP”.
-M’u sëmur vajza. -Nisi bisedën Ismaili.-Besjana. Temperaturë e lartë. Prush. Helena vinte vërdallë nëpër shtëpi. Dola të kërkoja doktor. Nëpër shkallë takova Dritëronë. Banojmë në një pallat.
-Unë e kam zgjidhur. -Më tha Dritëroi.-Kur sëmuret vajza, gruaja, Sadia më lë tek gota me Niko Nikollën. Rrëmben telefonin…Alo! Doktor Polikroni…Elona me temperaturë!…Dhe doktori troket në derë. Shkojmë e takojmë…dhe Helena jote, do bëhet si Sadija ime…Nga ajo ditë…mjafton një alo…dhe sëmundjet për vajzat, Gresën dhe Besianën largohen si me magji-përfundoi bisedën Kafareja.
Në vitin 1992, Kadarenë e takova në Paris. Pyetja e parë: “Si e kam doktorin? Vajzat edhe pse janë rritur nuk e harrojnë xhaxhi Polikronin!”
Jo rrallë, kam menduar:
-A është doktor Polikroni një Kadare, Dritëro ose Nonda Bulka i mjekësisë?
Nga 17 vjeç deri 86 vjeç, me stretoskop në dorë ka vizituar mijëra e mijëra fëmijë. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Përmet, Korçë, Krujë, Tropojë. Kudo. Fëmijë kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Si, librat e shkrimtarëve, doktori ka lënë kudo gjurmë me këshillat e tij.
Ka folur 50 vjet në Radio Tirana. Ka qenë i ftuar në TVSH; në TV “News 24”; “Vizion”; “Ora nws” ; “Klan” etj. Ka shkruar në të gjitha gazetat. Ka botuar 11 libra “Nëna dhe Fëmija” dhe një libër “Babai dhe fëmija”….
Më premtoi edhe një libër: “Gjyshi dhe fëmija”…
11 mars. Polikroni u nda nga jeta. 12 mars. Homazhe në hotel “Internacional”. 13 mars. Ngushëllime në hotel “Doro”…Shumë njerëz. Lotë. Histori…
-Jam nga Çermenika,-nisi bisedën burri i moshuar.-Vitet ’50-të. U hap fjala. Në fshat ka ardhur doktori. Babai e solli në shtëpi. Familje e madhe. Unë isha 20 vjeç. Doktori m’u duk më i vogël se unë…U vumë në radhë. Ndjeva në gjoks stretoskopin… Vizitoi edhe vajzën e xhaxhait. Ishte 15 vjeç. Doktori i vogël shtangu. Pastaj vazhdoi vizitën.
-Nesër duhet ta bini në Elbasan. I janë ngatërruar zorrët…E zbrita unë në qytet. Doktori më tha: Vajza është shtatzanë…U lebetisa…
-Vajza nuk duhet të kthehet në fshat…tha Polikroni…
…Lindi. Djalë. E dërguan në shtëpinë e fëmijëve…. Vajza u kthye në fshat. Në shtëpi ra damllaja. Unë isha ushtar. Kur u ktheva nuk e gjeta kushëtirën. Më tha babai:
-Ra në greminë. I shkau këmba duke mbledhur shkarpa…Aksident? Krim?…Unë mendoj “mbyllje” turpi, pas inçestit…
-Po djali? Doktor Polikroni e kërkoi. E gjeti. E vizitonte kur sëmurej. Djali u rrit. U martua. U bë baba. Trokiti në derë të Doktorit…E bëri mjek shtëpie. Tani është gjysh. Me binjakë. Përsëri doktor ka Polikronin…
Mori gotën e rakisë. E la mbi tavolinë. Heshti. E pyeta:
-A do vijë gjyshi i binjakëve për ngushëllim?…
-Gjyshi jam unë…Historinë e mamasë dhe timen, ma ka treguar daja?!…