Procesi kryesor i reformës në drejtësi, vetingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, është një proces që duhet të jetë njëkohësisht publik dhe konfidencial. Procedurat e institucioneve të vetingutt duhet të jenë publikisht të aksesueshme nga media dhe qytetarët për të mbështetur legjitimitetin e vetingut dhe rezultatit të saj, por në këtë proces duhet gjithashtu të garantohet dhe konfidencialiteti i procesit të brendshëm të mbledhjes së informacionit për të mbrojtur privatësinë e gjyqtarëve e prokurorëve që po verifikohen.
Kjo do të thotë se institucionet e vetingut, si dhe institucionet e ndryshme shtetërore që e mbështesin atë, duhet të parandalojnë rrjedhjen dhe përdorimin e dosjeve për qëllime politike.
Për fat të keq, dokumentet që lidhen me deklarimit dhe sqarimet e pasurisë personale të një prej prokuroreve nën veting, Rovena Gashit, të dërguara në mënyrë ekskluzive pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), kanë përfunduar në duart e një prej politikanëve të hetuar prej saj, pa kalaur as 48 orë nga dorëzimi i tyre në KPK.
Më 9 mars, portali Alpeneës publikoi një seri tre artikujsh (1,2,3) të cilët i referoheshin në mënyrë konfidenciale dokumentave, të cilat janë pjesë e hetimit nga institucionet e e vetingut, duke sulmuar hapur prokuroren dhe duke interpretuar në mënyrë subjektive dhe përzgjedhëse dokumentet e marra.
Portali informativ Alpeneës.al është nën menaxhimin e ish-deputetit të PS-së Alfred Peza, i cili është vetë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për fshehje të të ardhurave, pastrim parash, dhe mos deklarim të pasurisë, bazuar në hetimin e ILDKPKI-së. Çështja e tij është në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë.
Prokurorja që nisi fillimisht hetimin për çështjen e Zotit Peza ishte pikërisht Rovena Gashi, e cila më pas e përcolli dosjen për hetim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, përgjegjëse për hetimin e çështjeve të pastrimit të parave.
Më pas, prokurorja Gashi u shkarkua nga detyra, në shkelje të Kushtetutës, nga Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku, vetëm pak ditë pasi kjo e fundit u emërua në mënyrë antikushtetuese nga shumica socialiste në Kuvend.
Kështu pra, gjendemi në një situatë ku informacionet konfidenciale të dhëna për procesin e vetingut përfundojnë në dorën e një personi nën hetim, që më pas nis një fushatë sulmesh kundër personit që e ka hetuar, për të ushtruar presion dhe ndikuar në procesin e vetingut.
Është e paligjshme që transparenca që iu kërkohet gjyqtarëve e prokurorëve përpara institucioneve të vetingut të kthehet në armë politike në duart e subjekteve që ata hetojnë apo gjykojnë, të cilët sigurisht janë të shumtë.
Exit.al e pyeti Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nëse rrjedhja e një pjese të dosjes së Gashit përbënte kërcënim për objektivitetin dhe standardet e procesit të verifikimit. Për këtë ONM u përgjigj:
“[ONM] është njohur me publikimet e medias lidhur me çështjen që keni ngritur në mesazhin tuaj. Pika nga ku ju niseni për të ngrutir pyetjet tuaja është se ka pasur një rrjedhje nga procesi i verifikimit, vetingut.
Ky është një konkluzion që ONM nuk e pohon pa njohjen e duhur të fakteve. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së, aktualisht, po shqyrtojnë faktet e kësaj çështjeje dhe, nëse është e nevojshme, do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura”.
“Exit.al”