Leksioni norvegjez ndaj Kombëtares dhe pagjumësia e Panuçit

Thotë se ka bërë shumë pak gjumë natën e kaluar. Humbja me Norvegjinë, por sidomos paraqitja zhgënjyese e kuqezinjve, nuk është pritur aspak mirë nga trajneri Christian Panucci. Megjithatë, ai nuk fshihet, por ka dalë në konferencë për shtyp mesditën e sotme, nga mjediset e FSHF-së, ku ka bërë analizën e tij të asaj që ndodhi. Pyetjes se mbrëmë ishte një nga ndeshjet më të dobëta të Shqipërisë në vitet e fundit, Panucci i përgjigjet: “Ishte një miqësore, zhvilluam disa eksperimente për të parë dhe provuar disa të rinj, nëse mund të jenë pjesë e ekipit kombëtar, duke llogaritur edhe miqësoret e qershorit. Personalisht, më dha shumë mësime një ndeshje e tillë. Nuk më pëlqen asnjëherë të humbas, kam fjetur shumë pak mbrëmë. Një humbje e tillë kishte më shumë domethënie se fitorja ndaj Turqisë. Ishte një leksion i mirë”.
Më tej, lidhur me çështje të tjera të kombëtares që drejton, Panucci ka vijuar: “Kam qenë koshient në këtë miqësore, edhe duke rrezikuar. Nuk mendoj se i kam djegur dy ndërrimet. Ramadani u shfaq në nivel të lartë, ka bërë mirë edhe Bare në mesfushë. Qakën e pashë të emocionuar. E dija që do të rrezikloja me dyshen Mavraj-Ajeti në qendër të mbrojtjes.

Ishte ndeshje miqësore dhe duhej të provoja disa situata. Edhe Lika është një futbollist që punon shumë. E vlerësoj si një element që mund të jetë pjesë e grupit të kombëtares. Duke pasur pak kohë në dispozicion, natyrisht që në miqësore të tilla do të provoj. Nuk kthehem mbrapa, do të provoj idetë e mia. Eshtë një opsion për të luajtur me modulin 4-3-3. Nuk e llogris fare zotërimin e topit në ndeshjen e djeshme. Kam disa ide dhe në miqësoret në Zvicër do të vijoj implementimin e tyre. Unë nuk tërhiqem.
Paraqitja e Strakoshës? Ishte në presion, por ka personalitetin për ta përballuar. Gaboi pak. E kam thënë se në miqësoren e radhës do të luajë Berisha e kështu me radhë. Pastaj, në ndeshjet zyrtare do të vendos se cili do të jetë titullar. Ne e dinim rrezikun e një performance të tillë. Nëse do të ishte ndeshje zyrtare, nuk do të luanim kështu, por jo se nuk mundemi. Jam shumë realist, nuk jam këtu për justifikime. Jam i sinqertë dhe shumë i drejtpërdrejtë. Përgjegjësinë e mbaj unë, se jam trajneri. Ajeti, Mavraj dhe Sadiku nuk po luajnë në klubet e tyre. Roshi vjen me dy muaj pushime dhe vetëm dy ndeshje ka luajtur. Desha të vë në provë në qendër lojtarët tanë të vegjël kundër gjigandëve norvegjezë.

Shiriti i kapitenit?
Kush ka më shumë ndeshje do të jetë kapitenme mua. Vetëm me këtë rregull kam hequr çdolloj paragjykimi. Kështu do të vazhdoj. Kapiten duhet një lider? Për mua, lider duhet të jenë të gjithë në fushë, përderisa u besoj një fanellë titullari në ndeshje.
A është skuadra e bashkuar, apo ka qejfmbetje? Kemi një grup shumë të mirë, që stërvitet mirë. Edhe të rinjtë janë ambientuar. Natyrisht, ata që nuk luajnë e kanë me trajnerin, por një histori e tillë dihet. Nuk ndodh vetëm këtu, ndodh kudo. Miqësoret e qershorit? Gjithmonë, në respekt të hierarkisë institucionale, është e klonfirmuar njëra miqësore, por do ta publikojë zyra e shtypit. Do të luajmë dy miqësore në qershor, por emrat e kundërshtarëve do t’i merrni vesh ditët në vazhdim. Ekipi kombëtar është detyrim dhe nder për këdo që vjen. Nëse dikush nuk ka dëshirë të vijë, për shumë arsye, le ta thotë më përpara, të vijë me mua në konferencë shtypi dhe ta deklarojë, por nuk mendoj se kjo ndodh. Për mua, fanella e kombëtares është maksimumi i krenarisë për çdo futbollist. Dy lojtarët e Shpresës nuk i aktivizova? Skuadra e madhe përfaqësuese mbetet niveli maksimal, është kryesorja. Isha në kontakt me lojtarët. Më munguan dy lojtarë nga jashtë, të dëmtuar. U mundova t’i jepja një stimul Abazajt, sepse po bënte mirë në kampionatin shqiptar. Ramadani luajti në Turqi, pas ndeshjes me ekipin Shpresa.

Artikulli paraprakAnalisti nga Kosova, Pallaska: Haraçi i Rrugës së Kombit, do paguajmë paratë e humbura të drogës së Ramës
Artikulli tjetërDeklarata e parë e ministrit serb: Në Kosovë më rrahën, më tërhoqën si qen dhe bënin selfie me mua