“Jam i qetë, sepse Leo Messi është shumë mirë, por nuk dimë akoma asgjë, të paktën deri kur të kthehet nesër”. Këto kanë qenë fjalët e Ernesto Valverde, trajneri i Barcelona-s, në lidhje me gjendjen e argjentinasit, i cili nuk ka luajtur në asnjë nga dy miqësoret e Argjentinës për shkak të një problemi muskulor.
Valverde ka kujtuar se, “Messi e ka mbyllur mirë ndeshjen e fundit, kundër Bilbao-s. Është e vërtetë, ka shpjeguar ai, se ka pasur një problem të vogël, por asgjë me rëndësi. Nuk e di akoma se çfarë do të bëjmë, mendojmë dhe shpresojmë që të mos jetë asgjë me rëndësi. Nuk do të shqetësohemi para se mjekët tanë ta vizitojnë”.
Në vazhdim, Valverde ka shpjeguar se Ter Stegen ndodhet në të njëjtën situatë si Messi dhe, deri në momentin që nuk do të vizitohet nga mjekët, nuk do të njihet gjendja e gjurit të tij.