Një javë pasi Prokuroria dërgoi në gjyq dosjen me skandalin e naftës “Virgin”, ku ishte e përfshirë dhe ish-numri 2 i Doganave, Lula Njebza, Gjykata e Lartë e ka lënë të lirë ish-zyrtaren.
Për nëndrejtoreshën është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë. Njebza dhe 4 vartës të saj akuzohen për shpërdorim detyre.
Hetimet për këtë rast janë kryer nga Prokuroria e Fierit dhe të akuzuar janë biznesmeni Adrian Xhillari, ish-zv/drejtoresha Njebza, ish-kryedoganieri i Tiranës, Mirarbër Teneqexhiu, Alfred Bushi, doganier, Syrja Misiraj, doganier si dhe Adrian Alikaj. Sipas hetimeve, zyrtarët e Doganave kanë favorizuar biznesmenin Xhillari për të tregtuar naftë të papërpunuar.
4.4 milionë litra naftë bruto janë shitur në Tiranë dhe Durrës, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 2 milionë eurosh. Ndërsa, dëmi i shkaktuar mjedisit dhe automjeteve të qytetarëve është i pallogaritshëm.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania e shtetasit Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh. Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg, pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë.
Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milionë euro nga shmangia e pagimit të akcizës. Po ashtu, Prokuroria e Fierit shpjegon se, “në vijim të hetimeve të saj, ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “virxhin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar edhe për shkak se zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë kryer aspak detyrën e tyre”.