Analisti Fatos Lubonja është ndalur gjerësisht në rastin e aktivistit Eljan Tanini dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj. Në një opinion për të përditshmen “Panorama” Lubonja thotë se në opinionin publik, çështja “Tanini” u trajtua me një foshnjëri që është tipike e shoqërive të pazhvilluara.
Ai nuk e justifikon pranimin e çmimit nga Eljan Tanini dhe i kujton atij se “Çmimet jo vetëm duhen refuzuar, por as nuk duhen merituar”. Por për Lubonjën problemi është shumë më i gjerë se vetë gjesti i Taninit. Sipas tij, gati-gati kemi fajësuar Eljanin që ka hapur këmbët dhe jo Erjonin që e ka përdhunuar.
Është sjellja e Erjonit, problemi më i madh, pra, që pasi e ka rrahur, fyer dhe poshtëruar tani po kërkon ta vrasë fare moralisht, duke e kthyer nga një njeri dhe artist, në një shërbëtor dhe artizan të punishtes së tij”.
Po çfarë duhet të bënte aktivisti përballë pushtetit? Këtu qëndron edhe dilema e madhe, për të cilën nuk meriton një fajësim kaq të madh:
Çfarë duhet të bëjë ai kur sheh se Kryeministri, për të blerë intelektualët, hap edhe një dyqan në katin e parë të Kryeministrisë, ku ata hyjnë kokëulur, pasi u bëhet monitorimi te dera se mos kanë ndonjë bombë me vete apo se mos duan të thonë ndonjë mendim kundër projekteve të Kryeministrit; kur sheh se paratë, çmimet e nderimit qeveria i shpërndan për artizanët e pushtetit që bashkë me Kryeministrin dhe ministren e Kulturës janë edhe juria, edhe artisti, edhe fituesi”, shkruan Lubonja.
Analisti e shikon pikërisht këtu problemin, te një klasë qeverisëse që në vend të nxisë aftësinë krijuese të të rinjve, i përul ata në llumin e këmbëve të pushtetit. Ai tregon realitetin e ri, ku nuk bëhet më fjalë për pushtet, por për regjim:
Njerëzit e kulturës dhe artit që po i rezistojnë këtij regjimi që nuk përdor burgjet, por që u pret atyre bukën e gojës së fëmijëve, po pakësohet dita-ditës”.
Problemi i këtij varfërimi, sipas Lubonjës, është se disa bëjnë para, bëjnë karrierë, bëhen të famshëm, ndërsa ata që rezistojnë vuajnë nga ndjenja e padrejtësisë. Dhe pasojat janë shumë të rënda.
Nga kjo ne humbasim njerëzit e lirë, krijimtarinë e lirë, mendimin e lirë dhe të humbasësh këto do të thotë, që arti dhe krijimtaria, në vend se të hedhin dritë mbi realitetin: errësirën, mjerimin dhe degjenerimin që sundon prapa fasadave, të mashtrojë duke lyer e zbukuruar fasadat e pushtetit”.
Jemi të zhgënjyer nga Eljani? Lubonja thotë se kjo është një foshnjëri e një shoqërie që shpëtimin nuk e kërkon nga vetja, por e pret nga heronjtë.
Duhet ndërprerë sa më parë ky cikël trashëgimie që të mund të kalojmë në stadin e popujve të rritur, që nuk jetojnë duke pritur duarlidhur heronjtë të vijnë t’i shpëtojnë, por si njerëz me vetëdije që në momente të caktuara bëjnë detyrën, duke shpëtuar vetveten”.