“Nuk ka vendim për bojkot të Kuvendit, por do tëketë protesta në të gjithë vendin”. Kështu u shpreh kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, pak minuta më parë. Vasili është shprehur se protetat do tëkenë karakter ekonomik dhe shoqëror e do shtrihen në të gjithë vendin.
“Do të ketë protesta me fokus ekonomik dhe shoqëror në të gjithë vendin. Nuk ka vendim për bojkot të Parlamentit. Ky është një sistem skllavërues taksash. I ka kritikuar edhe FMN, ka qenë një politikë e gabuar që ka dëmtuar dhe shkatërruar të varfërit dhe ka ndihmuar oligarkët. Shqipëria është vendi i parë në Europë për emigracionin e moshës 7-17 vjeç. Kjo është tragjedia më e madhe që po përjeton ky vend. Është raportuar sipas organizatave ndërkombëtare, sipas Zërit të Amerikës”, u shpreh Vasili.
Po kështu është njoftuar nga opozita se protesta e parë do të jetë ditën e enjte, ku do të bllokohen 4 akse kryesore në vend.
Taksat nga 1 prilli, rëndojnë tek qytetarët
Nga 1 prilli ka nisur zbatimi i dy ndryshimeve të forta fiskale: përfshirja e biznesit të vogël me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë në skemën e TVSH-së dhe formula e re e taksës së ndërtesës, e cila do të aplikohet mbi vlerën e pronës. Profesori i ekonomisë Adrian Civici thotë se, taksat do rëndojnë mbi qytetarët. “Kanë efekte rënduese për qytetarët sidomos taksa e biznesit të vogël, për faktin, sepse akoma ekziston një shkallë e lartë informaliteti, besoj se institucionet tona fiskale nuk janë akoma të përgatitura për t’iu përgjigjur me eficencën e duhur mbledhjes së kësaj takse”, thotë Civici, raporton TCH.
Sipas Civicit, rreziku i shtrirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH qendron edhe në rritjen e informalitetit. “Duke parë edhe kostot në nivelin e rentabilitetit mënyrën sesi fuksionon biznesi mikro dhe biznesi i vogël në Shqipëri mendoj, që kjo taksë përveç se do të jetë një rëndesë për koston e këtij biznesi do tëkrijojë dhe shumë probleme për domosdoshmërinë për të qenë të formalizuar dhe korrekt me ligjin dhe me rregullin fiskal”, vijon eksperti. Barrë për qytetarët do të jetë dhe zbatimi i formulës së re për taksën e pronës thotë profesori i ekonomisë.
“E vënë bashkë me një sërë taksash të tjera, kjo mund të krijojë të ardhura në buxhet, mund të disiplinojë në një farë mënyre dhe tregun imobiliar, por për një kategori të caktuar sociale, natyrisht që do të ketë rëndesë në buxhetet familjare dhe në nivelin e jetesës së tyre”, tha Civici. Vetëm nga taksa e re e pronës parashikohet që të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten miliona euro, para këto që do të paguhen nga qytetarët shqiptarë.