Parlamenti gjerman njeh genocidin turk ndaj armenëve, Turqia tërheq ambasadorin

Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman e ka miratuar një rezolutë, e cila vrasjen masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore nga Perandoria Osmane e njeh si gjenocid. Vendimi i sotëm ka nxitur reagime të ashpra nga shteti që e ka trashëguar këtë Perandori, Turqia.
Rezoluta gjermane prej pesë faqeve bën thirrje për “përkujtimin e gjenocidit të armenëve dhe minoriteteve të tjera të krishtera gjatë viteve 1915 dhe 1916”, periudhë kjo që deri në 1.5 milionë armenë besohet të jenë masakruar.
Turqia e ka kundërshtuar ashpër këtë rezolutë të ‘Bundestagut’, ndërsa ka paralajmëruar se ky veprim do t’i rëndojë marrëdhëniet në mes të dy shteteve.
Pas votimit në Bundestagun gjerman, ku vetëm një deputet ishte kundër rezolutës, ndërsa një tjetër ka abstenuar, televizioni turk ‘24’ ka raportuar se Ankaraja e ka ftuar ambasadorin gjerman për konsultime.
Duke iu referuar Holokaustit nazist të Luftës së Dytë Botërore, kryediplomati turk, Mevlut Cavosoglu, përmes rrjetit social, Twitter, ka sugjeruar se gjermanët me këtë veprim janë duke u munduar që të fshehin fajin e “faqeve të zeza” të historisë së tyre.
“Mënyra për të mbyllur faqet e zeza të historisë tënde nuk është duke përlyer historinë e vendeve të tjera me vendime parlamentare të pa përgjegjshme dhe të pa baza”, ka shkruar ministri turk në “Twitter”.
Ligjvënësit gjermanë kanë thënë se, rezoluta e pranon faktin se, Perandoria Gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore, një aleate e kohës e Perandorisë Osmane, nuk ka bërë asgjë për të ndaluar vrasjen masive të armenëve.
Një ditë më parë, një tjetër zyrtar turk që e ka kundërshtuar këtë rezolutë ishte edhe kryeministri, Binali Yildirim.
“Kjo nuk është rezoluta e parë dhe nuk do të jetë as e fundit. Nganjëherë disa shtete që ne i konsiderojmë mike iu vijnë ide të tilla të mençura për të tërhequr vëmendjen e publikut, derisa vet gjenden në telashe me politikën e brendshme. Kjo rezolutë është një nga këto ide të mençura”, ka thënë kryeministri turk, Yildirim.
Mirëpo ministri i jashtëm armen, Edward Nalbandian e ka përshëndetur votimin, duke thënë se, Gjermania është duke dhënë “kontribut të çmuar jo vetëm për njohjen ndërkombëtare dhe dënimin e gjenocidit armen, por edhe për luftën universale për ndalimin e gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit”.
Votimi e shton presionin mbi marrëveshjen për refugjatët në mes të Turqisë dhe BE-së, për të cilën kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë fushatë të madhe.
Merkel raportohet se e kishte rrezikuar të ardhmen politike të saj me këtë marrëveshje me Turqinë, sipas së cilës, Ankaraja do të ndalonte turmat e refugjatëve që duan të shkojnë drejt vendeve të Evropës.
Në këmbim të kësaj, Turqia do të përfitonte para, të drejtat për të udhëtuar pa viza në vendet e Shengenit dhe lehtësim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryediplomati gjerman, Frank Walter Steinmeier, ka thënë se ende nuk e ka të qartë se cili do të jetë reagimi i Turqisë rreth rezolutës gjermane.
“Sa i përket reagimit nga Turqia nga miratimi i mundshëm, momentalisht nuk mund të them çfarë saktë do të jetë ai reagim. Natyrisht se këtë e kam trajtuar me homologun tim turk të hënën e kaluar në Ankara dhe e kam pyetur se çfarë reagimi duhet të presim. Përgjigja e tij ka qenë që do të jetë një ‘reagim i shënuar”, ka thënë Steinmeier.
Deri tani janë mbi 20 shtete, përfshirë edhe Francën dhe Rusinë, si dhe Papa Françeskun, që vrasjet e vitit 1915 i njohin si gjenocid. Shumica e historianëve nëpër botë, sidomos ata që nuk janë me origjinë turke, vrasjen e armenëve e konsiderojnë gjenocid.
Armenët insistojnë se deri në 1.5 milionë banorë të tyre janë vrarë në masakrën e vitit 1915, ndërkaq autoritetet turke thonë se numri ka qenë shumë më i vogël.

Artikulli paraprakNervoziteti i FMN me qeverinë
Artikulli tjetërMos qaj për Varshavën