Lëvizja Vetëvendosje në opozitë në Kosovë dhe partia në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, janë ngërthyer në një betejë mbi transportin publik në kryeqytet.
Beteja mbi autobuzët po zhvillohet ndërkohë që rivaliteti mes tyre pritet të shënojë kulmin para zgjedhjeve për pushtetin vendor që do të zhvillohen në vitin 2017.
Si komuna me numrin më të lartë të votuesve dhe me ekonominë më të fortë, Prishtina është objektivi kryesor i të gjitha partive politike. Kapja e kontrollit politik të kryeqytetit konsiderohet si hapi më i rëndësishëm drejt kontrollimit të të gjithë Kosovës.
Marrëdhëniet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së në qytet kanë qenë të tensionuara që nga zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor më 2013, kur ish-zëvendëskryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, mposhti udhëheqësin e LDK-së, kryeministrin aktual Isa Mustafa, në garën për kryebashkiak.
Kjo i dha fund qeverisjes gjashtëvjeçare të Mustafës në Prishtinë si dhe qeverisjes së pakontestueshme 13-vjeçare të LDK-së në Prishtinë.
Gjithsesi LDK vijoi të dominojë këshillin e komunës ku ka 18 nga 51 anëtarë.
Lëvizja Vetëvendosje ka 10 vende në këshill, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, PDK, ka tetë vende, pasuar nga Aleanca Kosova e Re me katër dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me katër të tjerë. Të pestë partitë e tjera kanë shtatë anëtarë.
Në një nga veprimet e para si kryebashkiak më 2014, Ahmeti akuzoi administratën e Mustafës për korrupsion dhe dorëzoi në Prokurori 70 kallëzime penale.
Marrëveshja e shumëdebatuar e mbështetur nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë për krijimin e asocacionit të komunave me shumicë serbe ka prekur gjithashtu marrëdhëniet në nivelin vendor.
Pasi bashkuan forcat në qeveri vitin e kaluar, LDK dhe PDK kanë bashkuar forcat edhe në këshillin e komunës për të penguar punën e administratës së Vetëvendosjes.
Kjo ka sjellë tensione të reja, pasi të dyja blloqet vendosën të përdorin projektin e rinovimit të flotës së transportit publik të Prishtinës për të penguar njëri-tjetrin.
Në tetor 2014, autoritetet e Prishtinës dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ranë dakord për një marrëveshje kredie me vlerë 10 milionë euro për të blerë 51 autobuzë të rinj për kompaninë e transportit publik, Trafiku Urban.
Ky projekt u bë arenë e një dueli të ashpër mes administratës së Vetëvendosjes në komunë dhe qeverisë të drejtuar nga LDK.
Administrata e qytetit pranoi që komuna të marrë përsipër ripagesën e kredisë në vend të qeverisë. Gjithsesi, sipas ligjit, pushteti vendor në Kosovë nuk ka të drejtë të marrë hua dhe Ministria e Financave duhet të firmosë një garanci sovrane, e cila nënkupton se në rast se Komuna nuk është në gjendje ta shlyejë kredinë, qeveria e Kosovës do ta shlyejë.
Kryebashkiaku Ahmeti dhe zëvendësi i tij, Dardan Sejdiu, akuzuan ministrin e Financave Abdullah Hoti, nga LDK, se po pengonte projektin duke mos e firmosur garancinë sovrane për kredinë, dokumentet për të cilën kanë qenë gati që nga prilli 2015.
Rivitalizimi i transportit publik të Prishtinës qe premtimi kryesor elektoral i Ahmetit gjatë garës së tij të suksesshme për kryebashkiak.
“Këto njerëz [në LDK] janë duke u përpjekur të bllokojnë Prishtinën, në të njëjtën mënyrë si e bllokuan atë për 15 vjet”, tha Sejdiu për Hotin dhe Mustafën në një intervistë televizive.
Ministri i Financave iu përgjigj, duke thënë se administrata e Prishtinës nuk kishte arritur të miratonte kërkesën për garanci sovrane në këshillin e komunës, këshill që kontrollohet nga LDK.
Në një përpjekje për të penguar kryebashkiakun, Hoti më 18 maj u takua me kryetarin e këshillit Halim Halimi – nga LDK – duke i kërkuar atij të vendosë në axhendë autorizimin për garancinë sovrane.
Zakonisht, axhenda e punës në këshillin komunal hartohet në bashkëpunim mes kryebashkiakut dhe kryetarit të këshillit.
Asambleja ku LDK ka numrin më të lartë anëtarësh më në fund më 18 maj e miratoi kërkesën.
Por Ahmeti dhe Sejdiu argumentuan se miratimi në këshill nuk qe i nevojshëm dhe se përdorimi i këshillit kësaj radhe qe thjeshtë përpjekje e LDK-së për të fshehur pengesat ndaj kryetarit.
Kryeministri Mustafa dhe ministri i Financave, Hoti deklaruan se Ahmeti po injoron ligjet dhe rregullat.
Më 24 maj, Ministria e Financave deklaroi se vendimi i këshillit të komunës duhej të miratohej gjithashtu nga Ministria e Pushtetit Vendor, gjë që do të pasohej nga lëshimi i garancisë sovrane.
Ai shtoi se vendimi duhet gjithashtu të mbështetet nga dy të tretat e votave në Parlamentin e Kosovës.
Ahmeti reagoi duke thënë se LDK po përdorte çdo procedurë për të penguar dhe i kërkoi qytetarëve ta “mbanin presionin të lartë”. Gjithsesi kësaj here ai konfirmoi se procedura e përfaqësuar nga Ministria e Financave do të respektohej, megjithëse ai beson se projekti po pengohet qëllimisht: “Edhe nëse procedurat duhet të jenë, siç thotë Hoti, fakti është që ne e dërguam kërkesën për garanci më 15 prill 2015. A nuk mund të përgjigjej ai duke na thënë se çfarë duhej të bënim? Ai nuk u përgjigj për dhjetë muaj”, tha Ahmeti për BIRN.
Kjo procedurë mund të vijojë edhe për një vit, gjë që mund ta lërë Ahmetin me shumë pak kohë në dispozicion për të përmbushur premtimin e tij elektoral, duke rigjallëruar transportin publik, gjë që është e rëndësishme në rast zgjedhjesh të parakohshme, të cilat kërkohen nga partia e tij.
Dhe ndërsa zgjedhjet për pushtetin vendor janë planifikuar për fundin e vitit 2017, marrëveshja me BERZH mund të dështojë, duke i lënë qytetarët e Prishtinës pa një sistem të përshtatshëm transporti publik.
Beteja mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë mbi këtë çështje mund të prekë edhe projekte të tjera vendore, duke penguar përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Leksioni duket se është ndërsa rivalitetet politike vijojnë të ndikojnë jetët e qytetarëve të Prishtinës, ata do të vijojnë të mbeten për pafuqishëm për sa kohë pranojnë rregullat e imponuara nga politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës.