Në ditën e tyre të fundit në grumbullimin austriak të Bad Waltersdorf kuqezinjtë kanë patur një paradite të lirë, duke qenë se seanca e vetme stërvitore është parashikuar në orën 19:00 të mbrëmjes në Bergamo, aty ku nesër do të luhet dhe miqësorja me Ukrainën, që mund të konsiderohet edhe si prova gjenerale para nisjes së Euro 2016. Ka qenë në këtë mënyrë një paradite e qetë, me futbollistët që kanë patur mundësinë të shijojnë disa orë të lira, me disa prej tyre që kanë zgjedhur bisedat në hollin e hotelit, disa biçikletat, një sport veçanërisht i preferuar ky për Lilën, Roshin e Cikalleshin, duke qenë se edhe lokaliteti ku ndodhen është shumë i këndshëm për diçka të tillë.
Trajneri De Biasi, ndërkohë ndoshta për t’u ç’tensionuar pak ka zgjedhur një lojë golfi me stafin e tij. Edhe pse ka qenë një paradite pushimi trajneri është zgjuar herët për të bërë jo thjesht disa goditje, por një lojë të mirëfilltë me bashkëpunëtorët e tij. Konsumimi i drekës është programuar për në orën 12:00, ndërsa në orën 14:30 nisja nga hoteli drejt aeroportit të Grazit që ndodhet rreth 45 kilometra larg. Fluturimi me avion charter drejt Bergamos, ku në orën 19:00 të mbrëmjes është programuar dhe seanca e sotshme stërvitore, e cila ashtu si dhe seancat e këtyre ditëve do të vijë live në Supersport me të rejat e fundit nga Kombëtarja.