Nuk është vetëm Shqipëria ndër të ashtuquajturat të vogla që shpresojnë të bëjnë mrekullinë në Europian, edhe Aron Ramsey beson te një surprizë e përfaqësueses së tij. Ashtu si kuqezinjtë edhe kombëtarja e Uellsit për herë të parë në histori, ka arritur të kualifikohet për në Europianin “Euro 2016”, duke e mbyllur fazën kulifikuese në vend të dytë me 21 pikë nga 30 të mundshme. Kur na ndajnë dhe pak ditë nga nisja e këtij evenimenti të futbollit europian, mesfushori i skuadrës së Arsenalit, Aron Ramsey, beson se kombëtarja e tij do të bëj historinë në këtë kompeticion.
Gjithashtu ai shpreson që ky të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe plot suksese: “E kemi pritur këtë moment për një kohë të gjatë. Kualifikimi për në Europian është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë krenar për këtë skuadër. Kemi shumë lojtarë cilësorë dhe besoj se ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe të suksesshme”.
Më tej 25-vjeçari deklaron se Uellsi nuk i trembet rivalitetit me Kombëtaret e tjera të mëdha, pasi skuadra e tij i ka të gjithë elementët e duhur për t’u përballur me to: “Gjatë fazës së grupeve në treguam se jemi një grup i konsoliduar. Belgjika është një ndër tre Kombëtaret më të mira të këtij europiani dhe ne përballë tyre arritëm një fitore dhe një barazim. Nisur nga kjo, besoj se pavarësisht se cilën skuadër do të kemi përballë, jam i sigurt se do të dimë t’ja dalim”.