Mijëra qytetarë të Kavajës u ngritën në sheshin kryesor të qytetit për të protestuar kundër oligarkisë së krimit dhe korrupsionit, kundër varfërisë dhe mungesës së shpresës. Protesta u bë në ditën e shënuar të 26-vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste që ndodhi në Kavajë. Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se 26 Marsi nuk i përket vetëm Kavajës, por mbarë Shqipërisë, duke vlerësuar lart qytetarët e Kavajës që u ngritën të parët kundër diktaturës. Paloka u shpreh se sot, 26 vjet më pas demokratët dhe shqiptarët përballen sërish me një regjim oligarkik e kriminal që duhet rrëzuar një orë e më parë.
“Sot jemi mbledhur këtu jo thjeshtë për të përkujtuar 26 Marsin, por për të përkujtuar atë që më 26 mars për herë të parë ndodhi në Shqipëri. Filloi këtu në Kavajë. E hodhën frikën, u përplasën me diktaturën më të egër në Europë. Njerëzit më trima që dolën nga ky qytet u përplasën me diktaturën më të ndyrë që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kur erdha pashë një slogan: 26 Marsi dita e Kavajës. Kjo datë nuk është thjeshtë dita e Kavajës, por është dita e gjithë shqiptarëve, sepse këtu filloi përmbysja e diktaturës që kishte nënshtruar për 50 vjet një popull që kishte vuajtur varfërinë, vrasjet, burgjet, vrastare e një diktature. Për fat të keq pas kaq kohësh kur ju dhe ne arritëm të fitonim lirinë dhe demokracinë, sot na duhet fatkeqësisht edhe njëherë të përballemi me të njëjtën situatë”, tha Paloka.
Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji u shpreh se, sot Kavaja dhe mbarë vendi vuajnë ndërsa qytetarët i kanë sërish sytë nga deti për të ikur nga Shqipëria. Salianji kërkoi nga qytetaria e Kavajës të ngrihet sërish kundër këtij regjimi që po varfëron shqiptarët dhe po shuan shpresat e tyre për një vend më të mirë. “Sot Kavaja, si gjithë Shqipëria, nuk zgjedh më me votë të lirë. Kavaja, si gjithë Shqipëria, sheh, edhe njëherë si atëherë, me sytë nga deti. Për të ikur nga sytë këmbët nga ky qytet dhe ky vend. Kavaja, si gjithë Shqipëria, e mat me xhep mirëqenien dhe jo me propagandë qeveritare ku, edhe njëherë si atëherë, jemi kthyer në zili për armiqtë dhe shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Shihni anash jush, apo kujtoni një familjar a të afërm që është i papunë; merr ushqimet apo bukën me listë; nuk e paguan dot shkollën e fëmijëve; nuk ka lekë për ilaçet, por edhe kur i ka i merr të skaduara. Pse, a kjo është Rilindja? Etërit, me sa duket, kanë rilindur për të na marrë peng edhe njëherë”, tha Salianji.
Kryetari i PD në Kavajë, Engjëll Cara shprehu mirënjohen e thëllë për bashkëqytetarët e tij për protestën e parë antikomuniste në Shqipëri, por bëri thirrje që kjo datë është sot një ditë proteste. Ai ftoi qytetarët e Kavajës për të protestuar sërish kundër kësaj diktature të re.
“Të gjithë e dimë se nga një ndeshje futbolli mori rrugën kapitullimi i regjimit. Paradoksale, që fundi të vijë nga futbolli. Por në fakt është krejt e kundërta: Nga futbolli nisi një fillim i ri, edhe pse futbollistët, ishin thjesht protagonistë. Mbahet mend si i vetmi rast ku spektatorët ishin bërë “lojtar” e lojtarët spektatorë. Në Stadiumin “Besa” tanimë kishte nisur. Pas minutës së 80′ siç ishte planifikuar, të rinjtë kavajas brohorasin “Liri” “Demokraci”, parulla të padëgjuara më parë hapur, në publik. Parulla që sfiduan sistemin dhe u dhanë kurajë shqiptarëve. Në Kavajë, fatkeqësisht, sot nuk është ditë feste, por ditë proteste. Do të protestojmë edhe për 26 Marsin, për harresën që po i bëjnë. Por thonë: “Kush harron historinë e tij do të duhet ta ripërsërisë atë”, tha Cara.