Në janar të vitit 2014, pak muaj pasi e majta kishte marrë pushtetin, ministri Damian Gjiknuri denoncoi ish-drejtorin e Korporatës Energjitike Shqiptare se kishte blerë një skaf me çmim jahti. Por 4 vite më pas, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zbuluar shkelje të rënda në blerjen e dy skafeve me çmime jahti nga drejtori aktual i KESH, i emëruar nga ministri Gjiknuri, i cili nuk i denoncoi shkeljet.
Tpz.al ka siguruar një raport të KLSH-së, e cila ka audituar tenderin për blerjen e dy mjeteve lundruese. Në këtë raport thuhet se komisioni i marrjes në dorëzim të shërbimit, ka verifikuar dorëzimin e shërbimit sipas kontratës dhe është shprehur se operatori fitues i plotëson specifikimet teknike të kërkuara në kontratë.
“Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion të grupit të auditimit, nuk vërtetohet plotësisht se mjetet lundruese i plotësojnë specifikimet teknike, pasi nga dokumentacioni i dorëzuar për mjetet lundruese është me mangësi”– thotë KLSH.
Sipas saj, nga çertifikata e lundrimit të sigurtë, për mjetet e lundrimit nuk ka evidencë që këto mjete lundrimi mbajnë secili nga 6 persona + 1 automjet, në kundërshtim me specifikimet teknike të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Gjithashtu, në deklaratat e pjesshme të konformitetit të dy mjeteve lundruese të paraqitura nga operatori fitues i kontratës, përcaktohet se prodhuesi është C. Y. & B. Gmbh, ndërsa në setin e ofertës së operatorit fitues, autorizimi i prodhuesit që ka garantuar shitjen e mjeteve lundruese në emër të kompanisë GTS SHPK për KESH SHA, është një firmë tjetër. “Rezulton se mjetet e marra në dorëzim nuk janë në përputhje me specifikimet teknike, si rrjedhojë e dokumentacionit të vënë në dispozicion” thuhet në këtë raport.
KLSH-ja analizon se vlera e kontratës për dy mjetet lundruese prej 407 milionë lekësh konsiderohet efekt financiar negativ për shoqërinë KESH SHA. Pra, nga dokumentet rezulton se një mjet, megjithë pajisjet shtesë, është blerë për rreth 200 mijë USD, sa vlera e një jahti.
Tpz.al ka mësuar se KESH akordoi rreth 400 mijë USD (bashkë me TVSH) për dy mjete lundruese, ndërsa në tender mori pjesë vetëm një operator, i cili ka ofruar disa qindarka më pak të vlerës.
Duket se historitë përsëriten në këtë vendin tonë të vogël, pasi 4 vjet më parë, ministri Gjiknuri do të akuzonte paraardhësit e tij për skafet e KESH -it. Në janar 2014, Gjiknuri se çoi për ndjekje penale ish-drejtorin e hidrocentralit të Komanit, Arben Cani, dhe drejtues të tjerë të këtij HEC-i për abuzim me tenderin për blerjen e një mjeti lundrues. Bëhej fjalë për blerjen e një skafi, i cili rezulton të jetë prokuruar nga HEC-i i Komanit me vlerë 7 herë më të lartë nga çmimi i zhdoganimit. Skafi i tipit “Marinko Cruiser 222”, i importuar fillimisht nga një subjekt privat është zhdoganuar në doganë me vlerë 38 mijë e 150 euro, por është blerë më pas nga Hidrocentrali i Komanit për një çmim shtatë herë më të lartë, plot 255 mijë euro.
Ky është standardi i dyfishtë i “rilindjes”, ku zyrtarët socialistë bëjnë kurban kundërshtarët për çdo shkelje të vogël, ndërsa vehten e tyre e kursejnë në çdo abuzim.